Preku shqiptarët me historinë e saj, 13 vjeçarja me leuçemi niset për kurim

schedule21:49 - 23 Mars, 2023

schedule 21:49 - 23 Mars, 2023

Si historia e kësaj nëne nuk gjen dy në botë. I shoqi i ndërroi jetë, ndërsa ajo i rriti e vetme dy fëmijët. Nuk kishte shtëpi dhe jetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shpesh herë kishte çuar ndërmend t’i jepte fund jetës… por falë modelit të bamirësisë, jeta e saj ndryshoi.

“Shqiptarët për Shqiptarët” së bashku me një familje me zemër të madhe, i dolën në krah. Për Edlirën dhe dy fëmijët e saj u ble një shtëpi e re, një strehë ku kjo nënë të mund të rriste Klodianën e Keolin. Vitet kaluan dhe historia e Edlirës ishte një ndër ato që patën përfundim të bukur, derisa një tjetër sprovë… ia theu zemrën kësaj nëne.

Klodiana, veçse 13 vjeç… u prek nga një sëmundje e rëndë, leuçemia. Mes lotëve dhe dhimbjes, Edlira i bëri sërish thirrje shqiptarëve për ndihmë, po sërish përmes emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”. Edhe kësaj here, modeli i bamirësisë ia ngrohu zemrën kësaj nëne. Paratë për Klodianën u mblodhën falë donacioneve të shqiptarëve.

Fatma Naçi e Meri Bejleri e vizituan në spitalin e Tiranës Edlirën dhe Klodianën, për t’i dhënë lajmin e mrekullueshëm. Edlira s’mundi t’i mbajë dot lotët, ndërsa Meri i tha se tashmë ajo do të duhet të bëhet e fortë, pasi e pret një rrugëtim i gjatë drejt shërimit të të bijës.

Meri: Ne kemi ardhur për ty, duhet të bëhesh e fortë. Dy herë duhet të jesh më e fortë, sepse vajza sikletoset. Ne jemi lutur për ty e vajzën, e tashmë do të shtohen edhe të gjithë shqiptarët.
Klodiana do të shkojë në spitalin “Bambino Gesu” në Itali, kjo falë dhurimeve të shqiptarëve.

Fatma: Edlira, vajza po shkon në spitalin më të mirë, dhe ka mbështetjen e të gjithë shqiptarëve. Ne presim vetëm që vajza të shërohet, të jesh e lumtur me të.

Koha tashmë ka ardhur dhe Edlira bashkë me të bijën nisen për në aeroportin e Tiranës. I pret një rrugëtim i gjatë, por me shpresën në Zot, Edlira i drejtohet Fatmës për t’i shprehur falenderimet dhe për një lutje të fundit.

Edlira, nëna e Klodianës: Ju falenderoj juve në radhë të parë, të gjithë shqiptarëve që kanë kontribuar… vetëm të luten për vajzën, o Zot i madh… të shkojë gjithçka mirë, se unë po lë dhe djalin këtu. Klodiana më tha të lutem mos qaj, do mundohem ta mbaj fjalën për të.

Fatma: Më bëhet shumë qejfi që Klodiana është e fortë. Edlira, besoj që ju e kuptoni që Zoti nuk ju ka lënë vetëm dje dhe as sot. Neve na ke afër gjithmonë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!