Uashingtoni zyrtar ka ashpërsuar sanksionet ndaj anëtarëve të qeverisë së Venezuelës, duke ngrirë asetet e tyre në Shtetet e Bashkuara. Lëvizja pritet të rrisë ndjeshëm presionin ndaj presidentit të vendit latin, Nikolas Maduro dhe rrethit të tij të ngushtë.
Administrata amerikane ka vendosur sanksione të reja ndaj qeverisë venezueliane, duke ngrirë asetet e anëtarëve të saj dhe duke ndaluar çdo transaksion që mund të bëhet me to.
Masa në fjalë pritet të dëmtojë më shumë se sanksionet e mëparshme qeverinë socialiste të Venezuelës. Ajo është lëvizja e fundit që synon të rrisë presionin ndaj presidentit Nikolas Maduro, që ai të tërhiqet.
Shtetet e Bashkuara janë një nga rreth 50 vendet që nuk e njohin atë si presidentin legjitim të Venezuelës. Ato i kanë dhënë mbështetjen e tyre kreut të Asamblesë Kombëtare, Huan Guaido, që u vetëshpall president në muajin janar.
Presidenti Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që thotë se të gjitha pronat e qeverisë së Venezuelës në territorin amerikan janë të bllokuara dhe nuk mund as të transferohen, as të eksportohen e as të tërhiqen.
Masa përforcon presionin ndaj qeverisë Maduro jo vetëm sepse godet asetet e saj, por edhe individët, kompanitë dhe vendet që bëjnë biznes me të.
Kjo do të thotë se Karakasi zyrtar do të përballet me më shumë kufizime nga ana e Shteteve të Bashkuara që do të bien mbi vende si Kuba, Irani, Korea e Veriut dhe Siria.
Gjithashtu, masa shkon më tej se sanksionet e mëparshme të Amerikës, që vinin në shënjestër liderët e Venezuelës, përfshirë presidentin Maduro dhe kompani shtetërore si ajo e naftës, Bankën Qendrore Venezueliane dhe bankën e saj të zhvillimit./ABC News Albania 24/7