Nga Hergi Llupi
“Të kaltërit” presin “Tre Luanët” në Napoli, Itali-Angli përballje “magjike” për kualifikueset e Euro 2024
Sot është dita kur do të luhen ndeshjet e para për kualifikueset e Euro 2024.
Në mbrëmje, në orën 20:45, do të luhet në stadiumin “Maradona” klasikja mes Italisë dhe Anglisë, ndeshje e vlefshme për Grupin C.
Duke bërë hapin e parë drejt mbrojtjes së kurorës së saj kontinentale, Italia mirëpret Anglinë në “Stadio Diego Armando Maradona” për ndeshjen hapëse të Grupit C të Euro 2024. “Azzurit” siguruan që futbolli të mos kthehej në shtëpi kur mposhtën “Tre Luanët” me penallti në finalen e Euro 2020, por kampionët e Roberto Mancinit që atëherë kanë humbur shkëlqimin e tyre.
Ende duke rijetuar makthet e tyre të Maqedonisë së Veriut, tifozët e Italisë presin me padurim edhe sfidën ndaj tyre për të marrë hak për atë eliminim në kualifikueset e Katar 2022. Forca dominuese e Italisë pas Euro 2020 dështoi për t’u paraqitur në play-offi-in e Kupës së Botës, duke humbur nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale për të parë nga shtëpia për herë të dytë radhazi kompeticionin më të madh të futbollit. Të kaltërit e Evropës kanë fituar secilën nga 14 ndeshjet e fundit kualifikuese të Kampionatit Evropian në shtëpi dhe janë të pamposhtur në 40 që kur humbën 3-1 ndaj Francës në vitin 2006.
Për më tepër, kanë kaluar 24 vjet që kur Italia humbi një ndeshje në shtëpi për kualifikueset e Euros, duke pësuar një mposhtje 3-2 ndaj Danimarkës në vitin 1999, dhe një atmosferë e mahnitshme pritet në Napoli sot në mbrëmje për të dhënë një dorë rreth këtij rekordi 24 vjeçar.
Nga ana tjetër, Anglia ka ende makthin e çerekfinales së Kupës së Botës ku u mposhtën nga Franca me rezultatin 1-2. Atë makth e ka më të theksuar sulmuesi kryesor i tyre, Harry Kane pasi humbi penalltinë ndaj “gjelave” në minutën e 84-të të ndeshjes, ku mund t’i kishte dhënë barazimin “Tre Luanëve”.
Sot ata do të bëjnë pa tre lojtarë tepër të rëndësishëm, si Rashford, Mason Mound dhe Nick Pope të cilët janë larguar nga kampi anglez për shkak të dëmtimeve. Southgate-it i është besuar që ta kthejë Anglinë në krye. Me shumë talent sulmues në dispozicion të tij, Anglia do të pritet që t’i çojë në vështirësi mbrojtësit italiane dhe të kenë favore në repartin ofensiv.
Italia pritet sot të startojë me Donnarumma në portë, ku përpara në vijën katërshe të mbrojtjes do të ketë Di Lorenzo dhe Spinazzola në krah, ndërsa Toloi dhe Acerbi në qendër të saj. Mesfusha do të përbëhet nga të zakonshmit dhe të pazëvendësueshmit, treshja Barella-Jorginho-Verrati, ku ky i fundit pritet të mbajë edhe shiritin e kapitenit. Sulmi pritet të jetë me Berardi dhe Pellegrini në krahët e këtij reparti, për të ndihmuar sulmuesin më të ri Retegui.
Nga ana tjetër, Anglia do të startojë me Pickford për arsye se Pope është i dëmtuar. Përpara tij pritet rrjeshtimi Shaw-Maguire-Stones-Walker. Mesfusha ka fantazi dhe qendrueshmëri, me Bellingham-Rice-Henderson. Sulmi më pas është ai repart i cili do të ketë të gjithë vëmendjen sot, me Foden dhe të talentuarin e Arsenalit, Saka, në anët e sulmit dhe Harry Kane “luani” i fundit në krye.
Statistikat për 5 ndeshjet e fundit midis tyre, tregojnë një Itali të fortë në mbrojtje, ku “Azzurit” kanë marrë 4 barazime dhe 1 fitore. Edhe pse me një sulm të bollshëm, Anglia nuk ka mundur të shënojë më shumë se një gol ndaj Italisë.
Sot do të jetë edhe një ndeshje e veçantë për Harry Kane, i cili do të kërkojë golin e tij të 54-të dhe të kalojë Rooney për t’u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Parashikimi nga ekspertët e kësaj fushe për këtë ndeshje është e vështirë, prandaj 90 minutat të cilat fillojnë në orën 20:45 do të tregojnë nëse do të ketë fitues, apo do të përfundojë në barazim, ashtu si 4 nga 5 takimet e tyre të fundit./ h.ll/abcnews.al