Për rreth një javë njësia operative e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, kreu veprime dhe fluturime stërvitore në hapësirën ajrore shqiptare.
Tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre kryen fluturime stërvitore në mbështetje të operacioneve speciale në Evropë.
E shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka u ngjit në bordin e një prej këtyre avionëve, ku u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e këtij mjeti fluturues dhe ekuipazhit të tij.
Përdorimi i hapësirës ajrore shqiptare dhe bazave tona nga njësia për mbështetjen e operacioneve speciale amerikane, sipas ministres se mbrojtjes, është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes.
Ministrja Xhaçka u njoh gjithashtu me qëllimin e stërvitjes si dhe me misionin dhe detyrat e Krahut të 352-të të Operacioneve Speciale, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Krahu i 352-të të Operacioneve Speciale shërben si pikë qendrore për të gjitha aktivitetet e operacioneve speciale të Forcës Ajrore të SHBA-ve në të gjithë Evropën. Kjo njësi është e përgatitur të kryejë një shumëllojshmëri misionesh me përparësi të lartë e shikueshmëri të ulët, që mbështesin forcat speciale të SHBA-ve dhe aleatëve në kohë paqeje, në stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet luftarake./ABC News Albania 24/7