Kryetari i ri i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku është betuar paraditen e të hënës në prefekturën e Tiranës. Kandidati i PS në zgjedhjet e 30 qershorit do të hyj në zyrën e bashkisë Vorë, 16 vite pas drejtimit të saj nga kryebashkiaku i djathtë, Fiqiri Ismaili. Në mbledhjen e konstituivit të Këshillit Bashkiak ishin edhe deputetë të PS të cilët shprehën bindjen që me drejtimin e ri Vora do të ndryshojë njësoj si bashkitë e drejtuara nga e majta.
Bashkia e Vorës pas 16 vitesh do të qeveriset nga një kryebashkiak socialist. Kandidati i PS, Agim Kajmaku u betua paraditen e të hënës në Prefekturën e Tiranës si kryebashkiak i ri i Vorës, ndërkohë që Fiqiri Ismaili i cili drejtonte këtë bashki nga viti 2003 do të duhet të lirojë zyrën.
Emocionet e detyrës së re sollën një hutim për Kajmakun gjatë ceremonisë së betimit, por në këtë rast këshillat e ish-kreut të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi e nxorën nga situate. Kryebashkiaku i ri socialist u zotua se do të qeverisë pa ndasi partiake Vorën, duke qenë i bindur se për të hyrë në bashki nuk do të ketë rezistencë nga demokratët.
Drejtuesi politik i PS për Tiranën, Ervin Bushati e sheh marrjen e Bashkisë së Vorës nga socialistët si një mundësi për të zhvilluar projekte që deri më sot ishin bllokuar nga demokratët.
Agim Kajmaku garoi i vetëm në zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Vorës. Socialistët në Vorë kanë shumicë absolute edhe në Këshillin Bashkiak me 18 anëtarë, ndërkohë që nga një anëtarë kanë ndarë mes tyre Bindja Demokratike, Partia e Gjelbër dhe Partia Ardhmëria Shqiptare./ABC News Albania 24/7