Kryeministri Rama ka postuar një video ku tregohet me shifra bilanci i punës përmes platformës së bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Kryeministri shkruan se bashkëqeverisja nuk është një slogan i qeverisë së tij, por një përpjekje për të fituar mbi ndaj mospërfilljes e nëpërkëmbjes së të drejtës së qytetarëve nga disa zyrtarë të administratës.
Administrata publike, një problem i mbartur në dekada. Por kryeministri zgjidhjen e ka gjetur te Platforma e Bashkëqeverisjes. Për kreun e qeverisë platforma e krijuar prej tij nuk është thjesht një slogan, por një filozofi e re në ushtrimin e pushtetit.
“Platforma e Bashkëqeverisjes është një urë që na lidh mes nesh, mbi kokat e zyrtarucëve e mbi lumin e justifikimeve, zvarritjeve, refuzimeve të administratës; është një mekanizëm që na bashkon kundër të keqes së futur thellë ndër dekada të tëra, në trupin e administratës; është një hapësirë ku nga bashkimi i forcave, qytetarët dhe qeveria, fitojnë mijëra e mijëra beteja të padukshme, ku pala e qytetarëve zgjidh mijëra e mijëra halle “të vogla” dhe pala e qeverisë, identifikon burime problemesh për qytetarin, e pastron nga trupi i shtetit parazitë të fshehur nën petkun e zyrtarit”.
Me 10.625 çështje të zgjidhura në vetëm 6 muaj, kryeministri ka bindjen se bashkëqeverisja me qytetarët tani është shndërruar në një përpjekje për të thyer barrierat e ngritura per dekada te tera mes qytetarit dhe zyrave të shtetit.
“Bashkëqeverisja është një përpjekje për të thyer barrierën e mospërfilljes të zyrtarucit ndaj qytetarit që kërkon një dokument; barrierën e nëpërkëmbjes së qytetarit nga zyrtaruci që kërkon një ryshfet; barrierën e mohimit të së drejtës së qytetarit, prej zyrtarucit në sportel!”
Në përfundim të bilanceve kreut të qeverisë i ka rezultuar se platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët do të ketë rrugëtim të gjatë, pavarësisht skepticizmit nga qytetarët e pengesave nga burokratët./ABC News Albania 24/7