Aktorja dhe regjisorja, Luli Bitri ka folur edhe për interpretimin krah yllit të kinematografisë italiane, Michele Placido. Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, ajo e ka konsideruar një kujtim të bukur, i cili në ato momente e bëri shumë të lumtur.
“Janë ato arritjet e vogla që në profesionin tonë të gëzojnë. Edhe ishte një moment ai që isha shumë e lumtur. Por këto lumturitë që ti mendon se do ta shtrojnë rrugën me trëndafila dhe ti tashmë do jesh dhe do të hapen të gjitha rrugët, por është një profesion shumë egoist dhe duhet shumë këmbëngulje për aktorin. Aktori duhet të këmbënguli dhe shpeshherë ka një fustrim të tmerrshëm”, u shpreh Luli.
Më tej, e pyetur se nga ndryshon puna në kinematografinë shqiptare dhe atë të huaj, ajo tha se në vendin tonë nuk ka kushte, pasi mungon buxheti dhe fondet.
“Atmosfera e xhirimit është e njëjta gjë, ndryshojnë gjuha, ndryshojnë rolet, ndryshojnë edhe buxhetet me të cilat bëhet filmi dhe për pasojë edhe kushtet në sheshxhirim ndryshojnë. Nuk kanë lidhje kushtet e një sheshxhirimi në Itali apo në Greqi, me kushtet në Shqipëri.
Këtu gjithmonë buxhetet janë edhe më të vogla, fatkeqësisht e them këtë. Propozimi që i vjen aktorit nuk ka buxhet. Unë e di shumë mirë këtë pjesë, sepse jam edhe producente dhe aktore vetë. Edhe fondet për kinemanë janë goxha të vogla”, deklaroi Bitri./abcnews.al