Britani, protesta kundër projektligjit të qeverisë për azilin

schedule15:23 - 14 Mars, 2023

schedule 15:23 - 14 Mars, 2023

Qindra persona u mblodhën para Parlamentit të Britanisë së Madhe në Londër për të protestuar kundër projektligjit të ri të qeverisë për azilin dhe për të treguar solidaritet me njerëzit që kërkojnë strehim në vend.

Protesta u mbështet nga Unioni i Brigadave të Zjarrfikësve, Shoqata Muslimane e Britanisë, organizata bamirëse për të drejtat e njeriut dhe politikanë të opozitës.

Plani i ri i qeverisë britanike për të ndaluar emigrantët me varka të vogla është pritur me kritika nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe avokatët e refugjatëve, të cilët argumentojnë se ai shkel ligjin ndërkombëtar dhe detyrimet e Britanisë ndaj Konventës për Refugjatët.

Plani përfshin ndalimin e shumicës së atyre që mbërrijnë me varka të vogla për 28 ditët e para pa lirim me kusht ose rishikim gjyqësor dhe mos lejimi që të bëjnë kërkesë për ndalimin e dëbimit deri pasi të largohen.

Turma, e cila u mblodh përpara statujës së Winston Churchillit para Parlamentit, brohoriste slogane “Kush e ndërtoi NHS? Emigrantët ndërtuan NHS” dhe “Refugjatët janë të mirëseardhur këtu: fajësoni masat shtrënguese, jo emigrantët”.

“Në çdo shoqëri normale dhe në çdo shoqëri të sigurt, në çdo shoqëri të dhembshur, e drejta e çdo personi duhet të mbrohet. Ky projektligj synon të sulmojë disa nga njerëzit më të cenueshëm në shoqëri”, tha për Anadolu lideri i Partisë Kombëtare Skoceze në Westminster, Stephen Flynn.

“Unë do të votoj kundër dhe shpresoj edhe kolegët tanë. Qeveria duhet të dëgjojë organizatat, jo vetëm në Britani, por në mbarë botën për të parë se kjo është gabim. Problemi është se ata nuk duan të dëgjojnë, sepse atyre nuk u intereson për njerëzit që po bëjnë këto udhëtime të rrezikshme”, tha ai.

Tom Marshall, një nga organizatorët e protestës dhe anëtar i Partisë Socialiste të Punëtorëve, tha se qeveria do të ballafaqohet me më shumë njerëz që përpiqen të mbërrin në vendin tonë me mjete të pasigurta.

“Do të kenë gjithnjë e më shumë familje të shkatërruara”, tha ai duke shtuar se njerëz të panumërt janë mbytur në Kanalin Anglez.

“Dhe do të përdoren thjesht si një çështje kurbani për të përçarë të gjithë në këtë vend kundër njëri-tjetrit dhe për të luajtur në kartën e emigrantëve për të gjitha çështjet e tyre”, nënvizoi ai.

Sipas organizatës “Amnesty International”, të drejtat e emigrantëve, refugjatëve dhe azilkërkuesve mbrohen me të drejtën ndërkombëtare, pavarësisht se si dhe pse mbërrijnë në një vend. Agjencia e OKB-së për Refugjatët, UNHCR, ka shprehur shqetësimin për këtë çështje, duke thënë se nëse miratohet, legjislacioni do të përbënte “ndalesë për azil”.