“Bir, u ba nana merak”, fotografi shqiptar sensibilizohet me aksidentet: Shpejtësia vret

schedule10:17 - 14 Mars, 2023

schedule 10:17 - 14 Mars, 2023

Ditët e fundit në vendin tonë, numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente ka qenë i lartë dhe shkak është bërë shpejtësia.

Kjo ka bërë që të sensibilizohen shumë njerëz me mënyra të ndryshme. Një ndër ta ka qene edhe fotografi nga Kosova, Marjan Komani, i cili ka realizuar një set fotografik shumë domethënës, duke u shpërndarë nga të gjithë. Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ai ka treguar se gjithçka e nisi si iniciativë, pa e ditur se do të merrte përmasat e një fushate.

“Përveç punës sime si fotograf që punoj, unë herë pas here fotografoj edhe tema sociale me qëllim të mirë. Në këtë rastin e tragjedisë, ka qene edhe në Kosovë një javë e tmerrshme, ka pasur mbi 8 vdekje në komunikacion dhe për një moment kam qenë në veturë, e kam menduar atë foto, që ka ardhur një mesazh prej nanës dhe që fëmija pas aksidentit ka vdekur. E kam pritur që ka për të pasur një mbështetje dhe shpërndarje të tillë, por kurrë nuk e kam besuar që do të ketë përmasa kaq të medhaja. Unë nuk e kam nisur si fushatë, por si inciativë që kushdo që e sheh të ndihet keq dhe të kujtojë që e pret dikush në shtëpi, edhe mos të rrezikojë jetën e vetë. Mediat e kanë quajtur si fushatë dhe është fushata më e madhe që është bërë në Kosovë kundër shpejtësisë”, u shpreh ndër të tjera Komani./abcnews.al