Aksidentet e ditëve të fundit me pasojë vdekjen, kanë shtuar kontrollet policore për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të kodit rrugor.
8 drejtues mjetesh janë vënë në pranga, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe dy të tjerë për drejtim mjeti pa patentë.
Në një njoftim zyrtar, policia bën me dije se falë kontrolleve të shtuara, janë pezulluar 109 leje drejtimi, 83 të tjera për shpejtësi mbi normat e lejuara në akset kryesore nacionale dhe në qendrat urbane, 22 të tjera për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.
Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit bëri që të ndëshkoheshin me masë administrative 628 shoferë, ndërsa 211 të tjerë janë gjobitur për parakalime dhe manovra të gabuara.
Po kështu, gjatë kësaj jave, 395 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosvënien e rripit të sigurimit, ndërsa 103 drejtues motomjetesh janë gjobitur për mosvendosje të kaskës mbrojtëse e shenjave sinjalizuese gjatë natës.
Kjo javë, fatkeqësisht regjistroi një bilanc të rënduar të aksidenteve rrugore, ku brenda 24 orëve humbën jetën 6 persona, 3 të rinj në Sauk dhe 3 persona të tjerë nga aksidente të ndodhura në Durrës, Kavajë dhe Korçë.
Gjithashtu të shtunën një i ri humbi jetën në Dibër teksa ndodhej pasagjer brenda automjetit të mikut të tij./abcnews.al