Genti Kame vjen për herë të parë si shkrimtar: Si libri im “u ngjiz” fillimisht si skenar filmi

schedule09:50 - 9 Mars, 2023

schedule 09:50 - 9 Mars, 2023

Genti Kame ka ardhur këtë herë edhe si shkrimtar. Pas regjisë dhe aktrimit, ai ka provuar edhe letërsinë, duke botuar librin e tij me titull “Kulla”. I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Genti ka treguar si nisi historia e këtij libri dhe pse zgjodhi që t’i përkas zhanrit triller.

Ai ka theksuar se shpeshherë ka pasur edhe pasiguri se mos libri ngjan me romanin e Ismail Kadares, “Prilli i thyer”.

“Historia nisi si një skenar filmi, pavarësisht se është shumë e pastër si një farmaci. Është teknik, gjithsesi njerëzit arritën të futeshin që në faqet e para ta lexonin si një roman, tentonin të futeshin në atmosferën e përgjithshme. Edhe më thonin njerëzit se pse nuk tenton ta bësh libër.

Të them të vërtetën Kadaren e adhuroj si autor, është një nga më të preferuarit e mi, është një nga krenaritë e mija kur jetoja në Francë. Të vije nga vendi i Kadares ishte si të kishe një pasaportë. ‘Prillin e thyer’ ka qenë një prej librave që unë kam lexuar, unë i kam lexuar të gjithë librat e Kadares që në moshë tepër të hershme dhe nuk i jam rikthyer. Historia e “Kullës” ka lindur që para 10 vjetësh dhe lindi në një mënyrë të çuditshme. Ishte një periudhë që mua më pëlqenin filmat triller dhe ende më pëlqejnë por ato paranormal, se kanë diçka shumë më të vështirë, më të pamundur. Këto ishin filmat që mua më pëlqenin më tepër dhe më të vështirë për tu realizuar. Kështu nisi si skenar filmi. Unë nuk ju ktheva Kadares, në momentin që vendosa ta shkruaja si libër sepse kisha frikë mos kishte diçka të përbashkët në libër. Së pari, ishte problemi i frazeologjisë, sepse unë nuk jam shkencëtar, por aktor dhe është krejt ndryshe joletrare. Edhe kisha frikë mos do kopjoja diçka nga stili i tij, do gjeja një zgjidhje”, u shpreh ndër të tjera Kame./abcnews.al