Të premten në Pogradec, mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë shqiptare e asaj maqedonase

schedule22:15 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 22:15 - 14 Dhjetor, 2017

Shqipëria dhe Maqedonia do zhvillojnë nesër pasdite në Pogradec mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, në fund të të cilës, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij maqedonas Zaev, do mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Sipas njoftimit të qeverisë shqiptare, në fokus të bisedimeve do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Gjatë takimit do të nënshkruhen disa marrëveshje të përbashkëta e memorandume, si plani i konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtme të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, një tjetër memorandum për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë, një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.

Të shtunën Kryeministrat Rama dhe Zaev do të vizitojnë Pustecin, ku do të priten nga autoritetet vendase dhe do të asistojnë në dorëzimin e mjeteve mësimore për studentët e një shkolle lokale./abcnews.al