Sipas Presidentit të Republikës, Ilir Meta, me këtë situatë krize në vend nuk do të ketë çelje negociatash me Bashkimin Europian në Tetor. Ai thekoi në një konferencë për mediat këtë të martë se duhen zhvilluar minimumi zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe me standarde më 13 Tetor.
“Pa zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, standardeve më të besueshme demokratike më 13 Tetor mos prisni asnjë mrekulli që të bjerë nga qielli më 18 Tetor dhe që të gdhiheni më 19 Tetor me çelje negociatash. Prandaj kam apeluar për dialogun politik real dhe të sinqertë për këtë çështje madhore të qytetarëve shqiptarë”, tha Meta.
Ndër të tjera, kreu i shtetit tha se për çështjet e integrimit duhet pyetur vetë ai dhe jo përfaqësuesit e Bashkimi Europian në kryeqytet. Sipas Metës, asnjë prej tyre nuk do të thotë të vërtetën siç është përveç tij, pasi i shërben interesit kombëtar.
“Kam thënë mjaft qartë që me këtë situatë krize të thellë të gjithanshme, kushtetuese, institucionale, përfaqësimi demokratik që ka vendi dhe aq më tepër me paaftësinë dhe mungesën e vullnetin deri tani për të organizuar zgjedhje vendore dhe gjithëpërfshirëse, të cilat kanë datën e tyre të ligjshme më 13 Tetor kam thënë që nuk ka çelje të negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe këtë e kam thënë fare qartë. Në lidhje me këtë çështje, ju e keni dëgjuar, do dëgjoni dhe në të ardhme, deklarata të përfaqësuese të ndryshëm të BE-së këtu, të cilët bëjnë një punë shumë të mirë, por që e kanë mandatin e kufizuar 3 deri në 4 vjet, apo të personaliteteve të KE-së dhe meqenëse janë çështje të integrimit evropian do ju lutesha shumë që në vijimësi të ndiqni koherencën e qëndrimeve të mia në 30 vjet.
Nga 8 Dhjetori 1990 kur në Shqipëri dolën thirrjet e para studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” e deri më sot. Sa i takon përmasave e konsideroj veden lider lokal, dhe jo lider global. Nuk marr përsipër të zgjidh çështje globale, por të jeni e sigurt për çështjet e integrimit evropian mos u lodhni të pyesni asnjë ambasador, asnjë përfaqësues të BE-së që t’ju thotë të vërtetën se si është. Atë të vërtetë më mirë se sa unë që ka 30 vjet që merrem me këtë punë në mënyrë të pandërprerë, nuk jam t’ju rikujtoj të gjitha qëndrimet e mia që nga 90, nuk e dinë më mirë se e kanë mandatin e kufizuar. Unë nuk jam këtu ti bëj qokë askujt, as opozitës, as qeverisë. Unë jam këtu t’i shërbej një interesi kombëtar të gjithë shqiptarëve sepse ky është qëllim kombëtar”, tha Meta./abcnews.al

