Një letër për një tërmet apokaliptik që mund të godasë Ballkanin dhe Shqipërinë ka mbërritur të hënën pasdite në zyrën e kryeministrit Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe asaj të mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Dërguesi është vetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili thotë se ka marrë shkas nga artikujt e botuar në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare që i referohen deklaratës së sizmologut grek Akis Tselentis.
Meta shkruan se Tselentis, i cili është edhe drejtor i Institutit Gjeodinamik të Athinës ka paralajmëruar se ky tërmet mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e kryeqytetit grek. Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Presidenti kërkon informacion nga institucionet përkatëse rreth kësaj dukurie natyrore dhe ngre tre pyetje:
“Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmologun Tselentis dhe institucionet homologe. të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.
Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor”?
Presidenti thotë se u referohet deklaratave të sizmologut grek për një tërmet apokaliptik. Por sizmiologu ka reaguar për gazetën shqiptarja.com duke thënë se nuk e ka bërë një parashikim të tillë.
“Asnjëherë s’kam bërë parashikime specifike për tërmete, E gjitha kjo është fake dhe qesharake”.
Sizmiologu ka folur në 22 Korrik për televizionin grek Antena ku shprehet vetëm se Athina mund të ketë një pasgoditje të shkallës 6 gradë pas tërmetit që pësoi afro dy javë më parë, duke mos përmendur Ballkanin apo vendet përreth si te rrezikuar.
Debati që ka dominuar këto ditë edhe mediat greke është nëse tërmetet mund të parashikohen, pasi shkencërisht një gjë e tillë nuk është provuar dhe shkencëtarët janë të një mendje se ato janë të paparashikueshëm./ABC News Albania 24/7