Ambasadori i delegacionit evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi këtë të hënë se çështja e teatrit kombëtar është shumë delikate dhe e politizuar. Gjatë një konference, Soreca tha se nuk i takon ambasadës të vendosë nëse duhet të bëhet një ndërtesë e re apo jo pasi kjo është diçka që u përket autoriteteve shqiptare.
Soreca theksoi se BE i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që të jenë në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit publik.
“Seriozisht dëshiroj të them se kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe është pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare në të cilën janë përfshirë shumë ndjesi, ndjenja dhe interesa. Për këtë arsye kjo është një çështje delikate, por edhe e politizuar. Nuk duhet të jemi ne ata që duhet të themi nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose rinovim të së vjetrës këtë detyrë e kanë autoritetet shqiptare. Ashtu siç e dini dhe ju pozicioni jonë për këtë çështje ka qenë mjaft i qartë që nga muaji shtator i vitit të shkuar. BE i ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që ata të jenë gjithnjë në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurohen që të kenë qasje jodiskriminuese në treg. Ky parim duhet të udhëheqë autoritet shqiptare dhe me ato që kemi kuptuar ne është lëshuar tender i ri për zhvillimin e mëtejshëm. Është e rëndësishme që të ketë kritere të qarta dhe transparente për aplikuesit, pra atij që do jetë i suksesshëm për këtë projekt dhe që të ketë një qasje të drejtë dhe të transparente për këtë çështje”, tha Soreca.
Ligji për teatrin u rikthye në Kuvend nga Presidenti, por u kalua sërish nga deputetët e mazhorancës. Megjithatë disa ditë më parë Presidenti i Republikës e kaloi këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Në lidhje me këtë gjë ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, i cili në një letër drejtuar Aleancës së Mbrojtjes për Teatrin është shprehur se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Për ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë është e rëndësishme që të respektohet ligji dhe shteti i së drejtës.
“E kam ndjekur deklaratat e Thomas Greminger, i cili më pas nxorri dhe një deklaratë tjetër për të qartësuar më shumë pozicionin apo qëndrimin e vet. Mendoj se kjo çështje është subjekt i një debati të madh në Shqipëri dhe për ne është e rëndësishme respektimi i ligjit dhe shtetit të së drejtës. Për këto procedura të tenderit duhet të jenë në përputhje me të BE-së. Me ç’di unë tenderi është i hapur deri në shtator. Edhe një gjë e rëndësishme është edhe çështja e konkurrencës së lirë dhe të drejtë. Procedura e tenderit do të jetë e hapur deri më 19 Shtator”, tha Soreca./abcnews.al