Pas problemeve me kapsulën, Space X dërgon me sukses në Hapësirë katër astronautë

schedule10:22 - 3 Mars, 2023

schedule 10:22 - 3 Mars, 2023

Dy astronautë amerikanë, një kozmonaut rus dhe një astronaut nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbërritën të sigurtë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) ndërsa anija kozmike SpaceX u ankorua me sukses në laboratorin hapësinor.

Kapsula hapësinore Crew Dragon e SpaceX u ankorua 25 orë pas ngritjes nga Qendra Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral, Florida.

Kontrolli i lundrimit të anijes kozmike u transferua nga qendra hapësinore e SpaceX pranë Los Anxhelosit në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA në Hjuston, në momentin kur kapsula e Crew Dragon ishte gati për t’u lidhur me ISS.

Ekipi prej katër anëtarësh pritet të qëndrojë në stacionin hapësinor për gjashtë muaj, gjatë të cilit ata do të kryejnë më shumë se 200 eksperimente shkencore, si dhe teste teknologjike përkatëse, me kërkime që variojnë nga rritja e qelizave njerëzore në hapësirë ​​deri tek kontrolli i sjelljes së materialeve shpërthyese në kushte mikrograviteti.

Disa nga eksperimentet kërkimore do të ndihmojnë në hapjen e rrugës për misionet e ardhshme hapësinore, si qëndrimi më afatgjatë i astronautëve në Hënë nën programin Artemis të NASA, pasardhësi i programit Apollo, sipas agjencisë hapësinore amerikane.

Misioni, i koduar Crew 6, është ekuipazhi i gjashtë që niset në ISS nga Space X në emër të NASA. Për herë të parë miliarderi Elon Musk filloi operacionet hapësinore në maj të vitit 2020. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!