Nua Çekaj është 16-vjeçari nga Lëpusha, i cili që në moshën 8 vjeç ka nisur të punoj në alpe si guidier. Ai ka ndihmuar shumë persona nga më të thjeshtët deri te ambasadorja Yuri Kim e Luigi Soreca.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Nua tregoi se gjatë gjithë javës ndjek shkollën në Shkodër dhe di të flas shumë mirë gjuhën angleze, ndërsa në fundjave shkon maleve.
Ai ka thënë se ka dëshirë të vazhdojë universitetin, por nuk do që të largohet si moshatarët nga Lëpusha, pasi do shumë që ky vend të zhvillohet.
“Lëpusha dhe në përgjithësi mali, është një vend që në përgjithësi të motivon. Që i vogël, 5-6 vjeç duke vrapuar mbas bagëtive, ose duke luajtur. Vëllai im është marr para meje me guida dhe ai ka qenë diku 12 vjeç kur unë isha 8 vjeç, edhe ai më ka fut në rrugën e turizmit.
Me ambasadoren Yuri Kim kam qenë deri në majën e Vajushës. Me ritmin ishim mirë, jo keq. Gjithashtu me Luigi Sorecën, ai ishte një alpinist se ecte shumë dhe kishte një ritëm shumë të mirë. Shkuam në Vajushë se është vendi i preferuar në zonën e Lëpushës. Unë me anglishten jam shumë mirë, e flas dhe e shkruaj shumë mirë. Në fakt ka qenë goxha vështirë, po që i vogël që 6 vjeç kam pasur kompjuter dhe me ndonjë video kam arritur ta mësoj nga kurioziteti.
Gjëja e parë për mua është të mbaroj shkollën e mesme, pastaj universitetin. Dëshira ime është të rri në Lëpush dhe të investojë për këtë vend, sepse është gjynah. Kanë ikur shumë veta dhe po të ikim dhe ne ça kemi mbetur këtu, ky vend do të shkretohet”, u shpreh ai./abcnews.al