Problemet me pasurinë nxjerrin jashtë sistemit të drejtësisë kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin nga detyra, pasi ai nuk mundi të justifikonte disa pasuri të paluajtshme si dhe shpenzimet për shkollimin e fëmijëve jashtë vendit. Gjykata e lartë ka mbetur tanimë vetëm me gjyqtarin Ardian Dvorani.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli vendimin për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Trupa gjykuese gjatë shpalljes së vendimit relatoi se pavarësisht provave të dorëzuara nga Zaganjori, ai nuk mundi të justifikonte krijimin e pasurisë ndër vite.
KPA ka konstatuar se për 4 pasuritë e paluajtshme në Tiranë, apartament banimi, zyrë, bibliotekë dhe garazhe, ka mospërputhje midis deklaratës së pasurisë në vitin 2003 dhe deklaratës në 2017 dhe nuk kishte burime të mjaftueshme për të krijuar këtë pasuri. Problem sipas KPA ka pasur edhe në lidhje me blerjen e një apartamenti në Durrës.
Një tjetër problematike, sipas Kolegjit është se kreu i Gjykatës së Lartë nuk ka pasur mundësi financiarë të ligjshme për të mbuluar shpenzimet e shkollimit të femijëve ne Angli dhe Gjermani. Komisioneri Florian Ballhysa është shprehur më herët se Zaganjori nuk justifikon pasurinë, ndërsa vetë kreu i gjykatës së la rtë e ka hedhur poshtë pretendimin duke kërkuar konfirmimin në detyrë.
Pas shkakrimit të Zaganjorit Gjykata e Lartë mbetet vetëm me anëtarin Ardian Dvorani. Nga ana tjetër Këshilli i Lartë Gjyqësor ka mbyllur garën për 4 anëtarët jogjyqtarë, dhe pritet që përzgjidhen më të mirët për në gjykatën supreme të vendit. Në arkivat e Gjykatës së Lartë janë me mijëra dosje që presin të shqyrtohen. Për çështjet më të nxehta, të cilave u përfundon afati, KLGJ ka vendosur që të delegojë gjyqtarë nga Gjykatat e Apeleve, me eksperiencë mbi 13 vjecare dhe që kanë kaluar vetingun. Gjatë seancës së dhënies së vendimit, Zaganjori nuk ishte i pranishëm në sallë, edhe pse në seancat e kaluara ishte shprehur se nuk do të mungonte.
/ABC news Albania 24/7