Sampdoria po kalon një sezon katastrofik dhe tashmë pas 11 vitesh mbijetesë në Serie A, një ndër klubet më ikonike të futbollit italian rrezikon seriozisht rënien nga kategoria, teksa ka arritur të mbledhë vetëm 11 pikë, në 23 përballje, formë kjo që ka shqetësuar seriozisht tifozët e “sampit”.
Më 30 janar, një letër kërcënuese drejt ish-Presidentit, Riccardo Garrone dhe Presidentit aktual të Sampdorias, Massimo Ferrero e shoqëruar me një plumb u dorëzua në selinë e klubit, në Corte Lambruschini, ku në të shkruhej, “Këtë herë është bosh, herën tjetër është e vërtetë”.
Një letër tjetër u dorëzua në selinë e “sampit” vetëm 10 ditë më vonë, ku këtë herë nuk ishtë më një kërcënim, por kërkim falje drejt Garrones dhe Ferreros, teksa këtë herë në letër shkruhej, “I kërkoj falje të gjithëve, zotërinjve Garrone dhe Ferrero për ofendimin dhe frikësimin budalla dhe të lig, UC Sampdoria dhe tifozët e saj”, letra gjithathtu kishte dhe nënshkrimin e autorit, i cili shkruante më pas “një tifoz i zemëruar dhe i penduar sinqerisht”.
Mirëpo, ngjarja ka vazhduar të përshkallëzohet, teksa mëngjesin e sotëm përpara selisë në Corte Lambruschini u gjet një kuti, e cili kishte brenda një kokë derri të prerë, por dhe një mesazh shqetësues, ku kërcënohej Presidenti Ferrero dhe avokati Antonio Romei, i cili aktualisht është anëtar i bordit aktual të drejtorëve.
Në letër mësohet se është shkruar, “Krerët e ardhshëm do të jenë tuajit”, duke shqetësuar jo pak “të kërcënuarit”. Megjithatë, policia ndërhyri menjëherë duke mbledhur të gjitha provat e mundshme që mund të gjenden në vendngjarje dhe tashmë karabinierët kanë nisur hetimet për gjetjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve. /i.m /abcnews.al