Apeli refuzon kërkesën e Alda Klosit, ish-zyrtarja mbetet në burg

schedule12:01 - 20 Shkurt, 2023

schedule 12:01 - 20 Shkurt, 2023

Ish-zyrtarja, Alda Klosi do të vijojë të qëndrojë në burg. Në seancën e kësaj të hënë, ku Klosi nuk ishte e pranishme në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, u vendos që të lihej në fuqi masa e “arrestit në burg”.

Alda Klosi kërkoi një masë më të butë sigurie se ajo e burgut, me arsyetimin se duhet të kujdeset për fëmijët e mitur dhe të ëmën e sëmurë.

Ish-zyrtarja akuzohet për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe deklarim të rremë. Alda Klosi është pronarja e banesës, në të cilën sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi grabitën një shumë rreth 120 mijë euro.

Vjedhja në banesën e ish-zyrtares së lartë ndodhi më 15 dhjetor të vitit 2022. Pas raportimit në polici të vjedhjes dhe kontrolleve të kryera në banesën e nënë e bir, u gjetën rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat dyshohet gjithashtu se janë vjedhur nga sanitarja Rozeta Dobi.

Ka qenë vetë Klosi ajo që ka bërë denoncimin në polici, teksa ka pretenduar se paratë ishin të një personi të afërt të saj i cili do të kurohej për një sëmundje të rëndë.