OSBE ODIHR ka bërë publik raportin paraprak për vlerësimin e nevojave në zgjedhjet lokale të 14 majit në vendin tonë. Në raport bëhet me dije se është konfirmuar nevoja për një aktivitet të gjerë vëzhgues në të gjithë rajonet për të siguruar një kontroll të pavarur të procesit zgjedhor. Në raport vlerësohet se puna e parlamentit u ndikua nga një konflikt i brendshëm në PD.
“Një konflikt i brendshëm brenda PD-së ka ndikuar në punën e parlamentit, përfshirë edhe punën e komisioneve parlamentare ad hoc për reformën territoriale dhe zgjedhore, të cilat nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat. Pas humbjes së partisë në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të marsit 2022 dhe pas dorëheqjes së kryetarit të PD-së z.Basha, doli një mosmarrëveshje për postin e kryetarit të PD.” -citohet në raport, ku gjithashtu shihet si problematike përdorimi i administratës shtetërore nga partia në pushtet.
Ndër të tjera, OSBE ODIHR thekson nevojën e vëzhgimit të situatës parazgjedhore, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore. Në fund të raportit bëhet me dije se ODIHR rekomandon vensdosjen e një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve.
Konkluzionet dhe rekomandimet:
Të gjithë bashkëbiseduesit e ODIHR konfirmuan nevojën për një aktivitet të gjerë vëzhgues të zgjedhjeve të ODIHR-it në të gjitha rajonet për të siguruar një kontroll të pavarur të procesit zgjedhor. Përfaqësuesit e Institucionet shtetërore pranuan vlerën e shtuar të rekomandimeve zgjedhore të ODIHR-it për përmirësimin e kuadrit dhe praktikave zgjedhore. Shumë bashkëbisedues theksuan nevojën e vëzhgimit të ditës parazgjedhore, veçanërisht në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore.
Shumë aspekte do të meritojnë vëmendje të veçantë, duke përfshirë punën e administratës zgjedhore, përdorimin e teknologjive të reja në zgjedhje, fushatën dhe mbulimin e saj nga media dhe online, financimi i fushatës, zgjidhja e mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe procedurat e ditës së zgjedhjeve.
Bazuar në këto konsiderata, NAM i ODIHR-it rekomandon vendosjen e një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve (MVZ) për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Përveç një ekipi kryesor ekspertësh, ODIHR rekomandon dërgimin nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së të 24 vëzhguesve afatgjatë për të ndjekur procesin zgjedhor në mbarë vendin, si dhe 300 vëzhgues afatshkurtër për të vëzhguar procedurat e ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë votimin, numërimin të votave dhe tabelimit të rezultateve. Në përputhje me metodologjinë standarde të ODIHR-it, MVZ-ja do të përfshijë një element monitorimi të medias./abcnews.al