Janë kthyer nga Turqia tre ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga tërmetet.
Ka qenë ministri i Mbrojtes, Niko Peleshi, i cili ka ndarë në rrjetet sociale, momentin kur ekipet përcillen me lule dhe duartrokitje.
“Krenari dhe mirënjohje pafund për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme në Turqi.
Ata u nisën për t’u kthyer në Atdhe, duke marrë me vete edhe respektin e popullit turk, që njëherësh është vlerësim për Shqipërinë tonë. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë!”, ka shkruar ai krahas videos.
Kujtojmë që më shumë se 45,000 persona kanë vdekur në tërmetin që goditi Turqinë dhe Sirinë dhe numri pritet të rritet në mënyrë dramatike pasi 264,000 apartamente janë shkatërruar në Turqi dhe shumë njerëz janë ende të zhdukur në fatkeqësinë më të madhe në historinë moderne të vendit./abcnews.al