Veliaj “Qytetar Nderi” i Prizrenit: Vetëm të bashkuar ecim përpara

schedule13:43 - 17 Shkurt, 2023

schedule 13:43 - 17 Shkurt, 2023

Në 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Prizrenit. Titulli iu akordua nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili tha se Veliaj shembullin e një drejtuesi modern që ka transformuar Tiranën.

Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh i emocionuar për marrjen e titullit “Qytetar Nderi” dhe tha se vetëm të bashkuar mund t’ia dalim të ecim përpara, duke u zotuar se do të kontribuojë më shumë për qytetin e Prizrenit.

“Sot, si qytetari më i ri i Prizrenit, ndjej një detyrim që, përveçse të vë përpara punët e qytetit të Tiranës, ta mbaj gjithmonë një hapësirë të kohës sime, të energjive të mia, për ta promovuar Prizrenin. Është lajm i jashtëzakonshëm që sot Prizreni, qyteti historik, qyteti multifetar, multietnik, është bërë një qendër graviteti. Për sa kohë sot kthehet në një qytet që promovon vlera, promovon mirësi, dashuri, kulturë, art, unë besoj se ditët më të mira në qytetin tonë të Prizrenit i kemi përpara. Sot jam i nderuar që, bashkë me mua janë Blerina dhe Etjeni, deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, për të dëshmuar që ne jemi bashkë. Ne mund të kemi punë të ndryshme, mund të kemi vokacione të ndryshme, mund të kemi parti të ndryshme, ama për disa qëllime ne punojmë bashkë. Dallimet tona nuk janë aq të mëdha sa të na përçajnë dhe duhet të punojmë për qëllime të përbashkëta”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës vuri në dukje disa nga pikat më të vizituara në Tiranë, që kanë pikërisht emra personalitetesh të Kosovës, si sheshi “Adem Jashari”, “Rruga e Kosovarëve” apo rruga “Ibrahim Rugova”.

“Dje në Tiranë, me kryeministrin Edi Rama hapëm një ekspozitë të Rexhep Selimit, kryesisht i njohur si komandant i luftës. Jemi duke rindërtuar shkollën ‘17 shkurti’ në Tiranë, një shkollë që e shkatërroi tërmeti, e cila do ngrihet më e fortë dhe më e bukur se kurrë. Unë vetë jam një nxënës i shkollës Kosova, një shkollë nga më të vjetrat e më të fortat në Tiranë, të cilën e rindërtuam më të bukur e më të fortë, edhe më të madhe sigurisht. Më vjen mirë që sheshi ‘Adem Jashari’ është një ndër hapësirat më të bukura urbane, m’u në hyrje të Tiranës; më vjen mirë që para dy ditësh, bashkë me Kryeministrin, në zgjatimin e rrugës ‘Ibrahim Rugova’, ne do të ndërtojmë dy godina të reja: Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare të Fëmijëve. Në këtë rruge, që tani zgjatet duke hyrë në park, do kemi dy simbole të tjera që do na kujtojnë këtë lidhje speciale që kemi me Kosovën. Më vjen mirë që rruga më e rëndësishme dhe më e shtrenjtë sot në Tiranë është bërë rruga e Kosovarëve”, u shpreh ai.

Kryetari i Komundës së Prizrenit vlerësoi Veliajn si njeri me energji pozitive, për t’u marrë shembull për mënyrën se si e ka transformuar Tiranën. “Është nder të kesh një bashkëqytetar si Erioni. Ai dallohet si kryebashkiak i Tiranës me një qasje proaktive, me një energji pozitive, me një lidership modern, që na bën krenarë të gjithëve ne që jetojmë në Kosovë, në Prizren dhe kudo në Shqipëri. E keni parë Tiranën si është transformuar.

Kur jemi takuar me Erionin vitin e kaluar jemi dakorduar që do të bëjmë shumë punë të mira. Ato punë mira vetëm kanë filluar. Kemi binjakëzim të dy shkollave të muzikës. Kemi pasur gara sportive mes shkollash. Po ashtu, kemi pasur një festë madhështore me rastin e Lidhjes së Prizrenit vitin e kaluar. Ajo që na pret është akoma më e madhe. Do promovojmë bashkëpunimin mes qyteteve”, nënvizoi Totaj.

Disa prej përfaqësuesve të partive politike në Këshillin Bashkiak të Prizrenit e cilësuan kryebashkiakun e Tiranës një model të ri të udhëheqjes dhe lidershipit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!