Banorët e një rajoni të SHBA-së ku një tren që transportonte kimikate doli nga shinat duhet të pinë ujë në shishe, rekomanduan sot autoritetet lokale, mes shqetësimeve në rritje për pasojat shëndetësore dhe mjedisore të aksidentit.
Më 3 shkurt, një tren doli nga shinat në Palestinën Lindore, Ohio, ku shkaktoi një zjarr masiv dhe u evakuan qindra njerëz nga zona. Treni transportonte, klorur vinil, një kimikat kancerogjen që përdoret në prodhimin e plastikës.
Zyrtarët e hekurudhës vazhduan më pas me asgjësimin “e kontrolluar të klorurit të vinilit për të parandaluar një shpërthim të mundshëm”, sipas zyrës së guvernatorit të Ohios.
Ajri, megjithatë, është “i sigurt”, tha sot për CNN guvernatori Mike DeWine, duke cituar testet e cilësisë së ajrit.
“Por kur bëhet fjalë për ujin, si një masë paraprake, u thamë njerëzve të përdorin ujë në shishe. Mos e rrezikoni, prisni derisa të marrim rezultatet e testit”, tha ai.
Dje, drejtori i Departamentit të Shëndetësisë në Ohio, Bruce Vanderhoff u kërkoi banorëve me puse private të testonin ujin e tyre, duke rekomanduar gjithashtu që banorët e zonës të pinin ujë në shishe për momentin.
Më 8 shkurt, autoritetet njoftuan se banorët që kishin lënë shtëpitë e tyre mund të ktheheshin “të sigurt”.
Megjithatë, pikëpyetjet sa i përket pasojave të daljes nga shinat po shtohen dhe banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre.
Rreth 3,500 peshq kanë ngordhur, sipas Ministrisë lokale të Burimeve Natyrore.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i SHBA (NTSB) tha se hetimi për shkakun e daljes së trenit nga shinat po vazhdon.
Guvernatori DeWine premtoi të mbajë “përgjegjëse” kompaninë hekurudhore Norfolk Southern. “Ai do të duhet të paguajë për gjithçka. Ata janë përgjegjës për atë që ndodhi”. /abcnews.al