Ylli i Hjustonit, Xhejms Harden refuzon të luajë për Kombëtaren e SHBA-së

schedule15:15 - 21 Korrik, 2019

schedule 15:15 - 21 Korrik, 2019

Xhejms Harden nuk do të luajë për kombëtaren amerikane në Botërorin e basketbollit në Kinë. Ylli I Hjustonit e refuzoi ftesën e trajnerit Greg Popoviç.

Mëkat që një yll i tillë do të mungojë. Xhejms Hardenin nuk do ta shohim të veshur me fanelën e kombëtares amerikane të basketbollit, në Kupën e Botës që zhvillohet këtë verë në Kinë.

Ylli I Hjustonit, kampion i botës me Shtetet e Bashkuara në 2014, nuk do të ketë mundësi të shtojë edhe një titull tjetër në karrierë, në Botërorin që luhet nga 31 gushti deri në 15 shtator në 8 qytete kineze.

I mbiquajturi “Mjekra” deklaroi se do të përqëndrohet në përgatitjet me Hjustonin, për të krijuar një dyshe të madhe me Rasëll Uesbrukun, ndërsa shtoi se ngarkesa e NBA-së është tepër e madhe, dhe se ai ndihet i lodhur.

Harden ishte një nga dy lojtarët më të mirë të sezonit të rregullt të NBA-së, madje ishte edhe shënuesi më i mirë, ndonëse Hjustoni nuk arriti ta fitonte titullin, duke humbur finalen e Konferencës Perëndimore ndaj Golden Stejtit.

Refuzimi i tij i shtohet mungesës së disa yjeve të tjerë si Entoni Dejvis, Erik Gordon apo Mekkallëm, dhe e dobëson jo pak skuadrën e trajnerit Greg Popoviç.

Harden ka një karrierë fituese me kombëtaren amerikane, dhe përveç Kupës së Botës në 2014, doli edhe kampion olimpik në vitin 2012 në Londër. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!