Ish-zyrtarja Alda Klosi ka kërkuar masë më të butë sigurie në Apel. Sipas palës mbrojtëse, Klosi ka deklaruar shumën prej 120 mijë eurove ndërsa për pjesën tjetër të parave pretendon se nuk janë të sajat. Po kështu për shkak të gjendjes shëndetësore, avokati ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.
Gjykata e Tiranës vendosi pak ditë më parë masën “arrest me burg” për ish zyrtaren. Ajo u arrestua për shkak të shumës së madhe të parave që u gjetën në banesën e pastrueses Rozeta Dobi. Kjo e fundit ka akuzuar Klosin se ka inskenuar grabitjen për shkak se kishte konflikte me bashkëshortin e saj.
LEXO EDHE: Alda Klosit i sekuestrohet një apartament dhe një garazh
Ditën e djeshme, gazetari i Abc News Ermal Vija raportoi se Klosit i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh në pronësi të saj, pasuri këto, që nuk i kishte të deklaruara. Ndaj saj rëndojnë akuzat për tre vepra penale: për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë./abcnews.al