Kryebashkiaku i Torontos, John Tory, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij pasi pranoi se kishte pasur një lidhje me një ish-punonjëse të bashkisë.
“Gjatë pandemisë kam pasur një marrëdhënie me një punonjëse në zyrën time në një mënyrë që nuk plotësonte standardet me të cilat e mbaj veten si kryetar bashkie dhe si familjar”, tha Tory në një konferencë për shtyp të premten në mbrëmje.
“Marrëdhënia përfundoi me pëlqim të ndërsjellë në fillim të këtij viti.”
Tory deklaroi gjithashtu se gjatë marrëdhënies së tyre, punonjësja vendosi të ndiqte punësimin diku tjetër, jashtë bashkisë.
“E pranoj se lejimi i zhvillimit të kësaj marrëdhënieje ishte një gabim serioz në gjykim nga ana ime. Erdhi në një kohë kur Barb, gruaja ime prej mbi 40 vitesh ishim larg njëri-tjetrit, ndërkohë që unë mbaja përgjegjësitë e mia gjatë pandemisë. Si rezultat, kam vendosur që do të jap dorëheqjen si kryetar bashkie në mënyrë që të gjej kohë për të reflektuar mbi gabimet e mia dhe për të bërë punën për të rindërtuar besimin e familjes sime.
Ndërsa më vjen shumë keq që duhet të largohem nga një punë që e dua, në një qytet që e dua edhe më shumë, besoj në zemër se është më mirë të përkushtohem plotësisht në punën që kërkohet për të riparuar këto marrëdhënie më të rëndësishme.”, tha ai.
Tory vazhdoi duke thënë se i vjen shumë keq dhe u kërkoi falje njerëzve të Torontos, stafit të tij, kolegëve në këshillin e qytetit dhe shërbimit publik.
“Më së shumti i kërkoj falje gruas dhe familjes sime, të cilët i kam zhgënjyer më shumë se kushdo tjetër”, tha ai.
“Unë besoj se kam bërë diçka të mirë për qytetin, një ndryshim pozitiv për vendin që e dua vërtet, veçanërisht gjatë pandemisë”, theksoi ai.
Menjëherë pasi ai konfirmoi lajmin, njerëzit reaguan në mediat sociale, ndërsa e krahasuan atë me ish-kryebashkiakun e Torontos, me të ndjerin Rob Ford, i cili ishte i mbushur me polemika, duke përfshirë skandalin famëkeq të kokainës.
/abcnews.al