Partizani-Flamurtari do të jetë sfida më e fortë e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Skuadrat kryesore u kualifikuan dhe duelet do të jenë shumë interesante vitin e ardhshëm.
Më të mirët u kualifikuan thuajse pa problem, por tani fillon e vështira.
Do të ketë përballje të forta në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Mbi të gjithë spikat dueli Partizani-Flamurtari, me dy skuadrat që do të synojnë kalimin për në gjysmëfinale, ku shanset mund të jenë më të mëdha për sukses.
Vlonjatët kaluan lehtë Turbinën e Cërrikut duke e mundur 5-2 në ndeshjen e kthimit, ku trajneri Shpëtim Duro aktivizoi mjaft lojtarë të stolit.
Edhe rrjetat erdhën nga emra të tillë si Tungara, Liçaj, Diamanti, Tushi apo Muçollari.
Kryeqytetasit gjithashtu kaluan lehtë me shifrat 3-0 ndaj Pogradecit, ndërsa trajneri Starova hodhi në fushë disa lojtarë të rëndësishëm dhe golat u shënuan pikërisht prej tyre si Fili, Progni e kapiteni Batha.
Partizani-Flamurtari do të thotë edhe duel Starova-Duro, dy ish-partizanas miq, që tani janë kthyer në armiq.
Fituesi i këtij çifti do të ndeshet me fituesin e çiftit Laçi-Luftëtari, me kurbinasit që u mundën në ndeshjen e dytë nga Lushnja, ndërsa gjirokastritët kaluan me rezultat në tavolinë për mosparaqitje të Bylisit.
Në krahun tjetër, Skënderbeu kryesues i Superligës do të përballet me Teutën.
Korçarët mundën sërish Besëlidhjen, këtë herë në fushën e tyre 3-1, ndërsa durrsakët dhanë një provë force ndaj Kamzës, duke e mposhtur 4-0.
Çifti tjetër është Tirana-Kukësi, ndërsa në gjysmëfinale pritet të ketë sërish një përballje shumë të fortë.
Ndeshjet e para çerekfinale luhen në 31 janar të vitit të ardhshëm, ndërsa ato të kthimit në 14 shkurt./abcnews.al