VIDEO/ Shkak mbipesha, ky është çifti i bashkëshortëve që shpëtoi mrekullisht nga rënia e ashensorit në Astir

schedule10:22 - 7 Shkurt, 2023

schedule 10:22 - 7 Shkurt, 2023

Sinan Kazani dhe Selvie Kazani banues në Astir janë çifti i bashkëshortëve të cilët mbetën të lënduar mbrëmjen e së hënës pasi ashensori në pallatin e tyre ra nga kati i 5 në katin zero.

Burime bëjnë me dije se shkak i rënies së ashensorit është bërë pesha më shumë nga sa ishte e lejuar, pasi brenda në ashensor lejohej hyrja e vetëm 4 personave ndërkohë që përveç çiftit Sinan dhe Selvie Kazani kanë qenë edhe 3 persona të tjerë të së njëjtës familje.

3 anëtarët e tjerë të familjes kanë pasur lëndime të lehta ndërsa çifti i bashkëshortëve ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Selvie Kazani ka marrë më shumë lëndime por të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas administratorit të pallatit, ashensori ishte i kolauduar por jo i regjistruar pranë organeve përkatëse.

Menjëherë pas ngjarjes, ashensorit i janë vënë shiritat e verdhë nga Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyerjes së Tregut.

LEXO EDHE: Shkëputet nga kati i pestë ashensori në Tiranë, lëndohen burrë e grua

Njoftimi i policisë:

Më datë 06.02.2023, në Unazë të Re, në rrugën “Aleksandri i Madh”, ka pësuar defekt ashensori i një pallati dhe ka rënë nga kati i pestë në katin zero. Në të ndodheshin shtetasi S. K., 56 vjeç, dhe shtetasja S. K., 55 vjeçe (çift bashkëshortësh). Në ndihmë të tyre kanë vajtur shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të ambulancës.

Si pasojë, shtetasit e lartpërmendur janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.r.t/abcnews.al