Nuk ka patur një përgjigje direkte për deklaratat e Metës, por kreu i shtetit është shënjestruar sot nga foltorja e Kuvendit nga numri dy i socialistëve Taulant Balla. Kreu i grupit të deputetëve socialistë tha se Meta është shndërruar tashmë në bashkëkryetar të opozitës, por mazhoranca është e vendosur që ligjet që po kthen mbrapsht, do i rivotojë në shtator në Kuvend.
“Po e them sot se me këto ndryshime në Kodin Penal, sa herë që të vandalizohen institucionet, shkatërrohet prona private, se ende nuk kemi bërë një diskutim se sa janë dëmet vetëm për prona private apo goditje të qytetarëve dhe punonjësve të policisë ka pasur, do të vazhdojë edhe pas ditës së sotme të ketë pasoja individuale të gjithë dhunës. Nuk kam ndonjë dyshim që këto ndryshime në Kodin Penal, Presidenti në detyrë i Republikës, do të na i kthejë për t’i rivotuar edhe njëherë në Shtator.
Nuk kam asnjë dyshim. Si një prej bashkëkryetarëve në detyrë të opozitës me seli në Presidencë, kur pashë që Presidenti i Republikës ktheu edhe ndryshimet në ligjin e vetëqeverisjes vendore që mundësojnë, që më në fund në Shqipëri, në organet e pushtetit vendor, të ketë një zyrë, një njeri që të kujdeset për çdo vërtetim, për çdo lloj halli që kanë dy milionë shqiptarë ,që janë jashtë territorit të Shqipërisë, nuk kam asnjë dyshim që Ilir Meta, nuk ka më sy e veshë për të parë e dëgjuar, se për çfarë kanë nevojë shqiptarët. Ilir Meta ka sy e veshë për të dëgjuar se çfarë do Luli, Monika dhe Saliu dhe e ka kthyer atë presidencë në institucionin e qarjes së hallit të Saliut, Lulit dhe Monikës. Nëse Ilir Meta i kthen këto ndryshime në Kodin Penal aq na bën, sepse me të filluar shtatori, këtu do jemi, përsëri do duhet t’i votojmë”, tha Balla./abcnews.al