Dega e Partisë Demokratike në Lezhë ka depozituar në prokurorinë e këtij rrethi kallëzim penal për shpërdorim detyre për komisionarët dhe numëruesit në KZAZ nr 12 dhe 13.
Në njoftimin e PD të shpërndarë për mediat thuhet se personat e mësipërm kanë organizuar dhe administruar votimin e datës 30 qershor në kundërshtim me dekretin e presidentit.
Ndaj këtyre subjekteve janë paraqitur kallëzime edhe për veprën penale “falsifikim të dokumenteve”. Sipas degës së PD nga monitorimi i kryer prej tyre ka rezultuar se janë manipuluar rezultatet duke falsifikuar nënshkrimet në listat e zgjedhësve.
Padi në Gjykatën Kushtetuese kundër procesit të 30 qershorit ka dorëzuar edhe kryebashkiakja e Shkodrës në largim, Voltana Ademi, në emër të shoqatës së bashkive të vendit. /ABC News Albania 24/7