Pas takimit me Lajçak, Kurti: Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

schedule16:52 - 6 Shkurt, 2023

schedule 16:52 - 6 Shkurt, 2023

Ditën e sotme kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me të dërguarin e Bashkimit Evropian, MiroslavLajcak ku kanë folur mbi Asociacionin dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Me anë të një postimi në Twitter pas mbarimit të takimit ai është shprehur se do ta pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve së të dyja shteteve.

Postimi i Kurtit:

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së @MiroslavLajcak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.
Disa pyetje mbi garancitë ndërkombëtare, mekanizmat e zbatimit dhe renditjen kohore do të trajtohen së shpejti gjatë bisedimeve në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit europian na bëjnë me shpresë”, u shpreh Kurti.

Kujtojmë se Kurti ka zhvilluar gjithashtu ditën e sotme dhe një takim edhe me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.

Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër. /abcnews.al/