Të enjten do të zhvillohen edhe takimet e kthimit të Evropa League ku marrin pjesë tre skuadra shqiptare. Laçi ka më shumë shanse për të kaluar ne turin tjetër.
Në skuadrën e Kukësit mbizotëron optimizmi edhe pse kanë një pengesë të madhe për të kaluar. Verilindorët duhet të përmbysin Debrecenin që fitoi ndeshjen e parë me shifrat 3-0. Kukësi është përgatitur intensivisht nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka ku lojtarët janë fokusuar në aspektin fizik. Strategjia e nënkampionëve të Shqipërisë është zhbllokimi i shpejtë i rezultatit çka do t’i jepte një ngjyrim tjetër takimit dhe do të vendoste nën presion miqtë. Sfida e dytë kualifikuese e Europa League Kukësi-Debrecen do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 20:00.
Një takim mjaft i vështire dhe thuajse një mision i pamundur për Teutën që luan ndeshjen e kthimit ndaj Ventspils. Durrsakët u munden në ndeshjen e parë në tranfertë me shifrat 3-0 dhe shanset janë minimale për të përmbysur këtë disavantazh. Gjithsesi të besuarit e trajnerit Bledi Shkembi do të tentojnë minimalisht ta dërgojnë ndeshjen në shtesë.
Më tepër shanse ka për skuadrën e Laçit. Kurbinasit do të luajnë në transfertën izraelite të Hapoel Ber Sheva. Takimi i parë në Laç përfundoi në barazim 1-1 dhe një fitore minimale do t’i mjaftonte skuadrës së teknikut Starova te kalonte në turin e dytë. Nuk përjashtohet as ruleta e 11 metërshave dhe skuadrat janë të përgatitura për një përfundim të tillë./ABC News Albania 24/7