Pritet të vendoset shpejt e ardhmja e Skënderbeut. Mundësitë për presidentin Takaj janë që të vazhdojë me klubin aktual për të pritur 7 vjet, ose të krijojë një klub të ri sërish në Korçë.
Epoka e lavdishme është mbyllur, por nuk është e sigurt nëse do të ketë jetë pas saj.
Skënderbeu i madh, 7 herë kampion i vendit në vitet 2011-2018, dhe dy herë pjesëmarrës në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, i përket së kaluarës, dhe frika është se mos do t’i përkasë vetëm historisë.
Dënimi përfundimtar i gjykatave sportive, nga Komisioni i Disiplinës i UEFA-s, deri në KAS-in e Lozanës, e kanë vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e klubit me këtë emër, dhe besohet se presidenti Ardian Takaj ka dy alternativa.
E para, tepër e vështirë për t’u realizuar, që të vazhdojë me klubin Klubi Futbollistik Skënderbeu, dhe e dyta që të krijojë një klub tjetër me emër fare pak të ndryshuar, duke mbajtur bazën gjithnjë në Korçë.
Për momentin, Takaj ka pasur takim me kryetarin e Bashkisë, Filon, dhe burimet nga Korça bëjnë me dijë se nga presidenti është kërkuar buxhet më i madh financiar. Për momentin, pushteti vendor jep 300 milionë lekë të vjetër në vit për Skënderbeun, duke pasur edhe 25 për qind të aksioneve.
Hamendësimi është se mes dy drejtuesve mund të jetë diskutuar edhe për krijimin e një klubi tjetër. Për Takajn, avantazhet janë të mëdha nëse vazhdon në Korçë.
Edhe me ndonjë ndryshim emri, skuadra do të jetë po ajo, mund të quhet AFC Skënderbeu, po ashtu stadiumi është gati, madje do të ketë një të ri e modern, ndërsa është ndërtuar edhe kompleksi stërvitor për ekipin e parë dhe për Akademinë.
Vërtet, që do të nisej nga Kategoria e Dytë, por në 3 vjet në rast suksesi, do të jetë në Superligë, ndërsa nga dënimi aktual i UEFA-s kanë mbetur edhe 7 vjet. Aspak e lehtë, por gjithsesi duket si rruga më e lehtë, siç e pohojnë edhe burime nga Korça.
Një rast i tillë ndodhi në Rumani me Steauan e Bukureshtit, skuadrën më të shquar rumune, edhe cila shpalli falimentimin në 2007 dhe presidenti Xhixhi Bekali krijoi klub tjetër, me emrin Football Klub FCSB.
Në këtë mënyrë ai shpëtoi nga 11 milionë euro detyrime ndaj shtetit. Problem për Takajn është gjoba prej 1 milionë eurosh vendosur nga UEFA, e cila duhet shlyer brenda afateve, ndryshe ka rritje në vlerë.
Po ashtu, besohet se ka pagesa të prapambetura për futbollistët, diçka që nuk është vetëm çështje në Korçë, por në shumë klube shqip./ABC News Albania 24/7