Largimi i hershëm i Kombëtares belge në Kupën e Botës, “Katar 2022” solli dhe fundin e “epokës” së spanjollit Roberto Martinez në krye të pankinës së “djajve” dhe që nga ai momente Federata Belge e Futbollit është ende në kërkim të një tekniku të ri.
Pas “thashethemeve” se ish-ndihmësi i Martinez në drejtimin e Belgjikës, Thierry Henry do të merrte kreun e pankinës, tashmë ka dalë një emër i ri dhe ai është italiani Domenico Tedesco.
Mënyra se si ai ka drejtuar ekipe të mëdha si Schalke 04, Spartak Moscow dhe së fundmi gjermanët e RB Leipzig ka impresionuar drejtuesit e Federatës, të cilët e konsiderojnë 37-vjeçarin italian si një mundësi konkrete, për stolin e “djajve”.
Klubi i fundit që Tedesco ka drejtuar është RB Leipzig, ku edhe pse arriti të fitonte Kupën e Gjermanisë, sezonin e shkuar, drejtuesit e klubit ishin të pakënaqur me italianin, ku dhe e shkarkuan në muajin shtator.
Ndërkaq, Federata Belge e Futbollit shpreson se deri javën e ardhshme mund të jetë gjetur trajneri i duhur për pankinën e “djajve”. /i.m /abcnews.al