Investimet e individëve në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare shënuan një rritje të fortë gjatë vitit të kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë. Rritja në nivele të ngjashme edhe në numrin e transaksioneve, që arriti në 16630, me një rritje vjetore prej 222%.
Sipas llojit të instrumenteve financiare, kontributin kryesor e dha rritja shumë e lartë e investimit në bono thesari. Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar arriti në 39.8 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej pothuajse 462%. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 9.7 miliardë lekë, 73% më shumë krahasuar me vitin 2021.
Të dhënat e mësipërme u referohen transaksioneve të kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare. Por, investimi në bono thesari mund të kryhet edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë.
Megjithëse kishte vendosur në vitin 2020 mbylljen e tyre, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë e anulloi vendimin në fjalë, duke rikthyer shërbimin e investimit në bono thesari për individët.
Zgjerimi i shpejtë i investimit të individëve në bono dhe obigacione besohet se ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së fortë të yield-eve të këtyre instrumenteve gjatë vitit 2022.
Në muajin mars, Banka e Shqipërisë nisi ciklin e normalizimit monetar, duke e rritur normën e interesit pesë herë brenda vitit dhe duke e çuar atë nga 0.5% në 2.75%.
Kjo rritje u reflektua shumë shpejt, madje edhe u tejkalua në yield-et e titujve të borxhit qeveritar, sidomos në ato me maturim afatshkurtër. Pasiguria nga rritja e shpejtë e interesave dhe pritshmëritë për rritje të mëtejshme të tyre i çuan yield-et pranë niveleve më të larta të dekadës së fundit.
Rritja e yield-eve i bëri titujt qeveritarë shumë më tërheqës edhe për investitorët individual. Një pjesë e depozituesve preferuan ti tërheqin paratë e mbajtura në depozita bankare dhe ti investojnë në bono edhe obligacione, në kërkim të kthimeve më të larta. Depozitat bankare në lekë shënuan një rritje ndjeshëm më të ngadalësuar gjatë vitit 2022.
Një pjesë tjetër vendosën të shisnin kuotat në fondet e investimeve, që vitin e kaluar pësuan një goditje të fortë nga rritja e yield-eve. Kjo solli një rënie të vlerës së aseteve neto të fondeve me rreth 40% vitin e kaluar.
Këto statistika tregojnë se rritja e fortë e yield-eve gjatë vitit të kaluar, sidomos në periudhën gusht-nëntor, ka sjellë një zhvendosje të investimeve të investitorëve të vegjël./Monitor