Reforma në drejtësi do të korrigjohet. Nesër komisioni i ligjeve do të shqyrtojë dy drafte të propozuara nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, që ndryshojnë dy ligje të reformës në drejtësi. Këto ndryshime imponohen nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur ishte funksionale, kishte rrëzuar disa nene të akteve. Miratimi i tyre kërkon 84 vota.
Parlamenti do të rishkruajë reformën në drejtësi. Socialistët dhe opozita parlamentare janë bërë bashkë për të firmosur dy projekte që ndryshojnë dy prej ligjeve themeltare të Reformës në Drejtësi: ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Këto ligje do të ndryshojnë pasi 22 nene janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Kuvendi është i detyruar ti korrigjojë. Nenet kryesore kanë të bëjnë me rregullat për hetimin e shkeljeve nga gjyqtarët e prokurorët, si dhe procedimin e vetë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Puna e përbashkët nisi në Këshillin e Legjislacionit, mes PD-së dhe PS-së, por braktisja e parlamentit nga demokratët bën që Rama ta rishkruajë reformën vetëm me opozitën parlamentare.
Të hënën komisioni i ligjeve do të nisë shqyrtimin e këtyre ndryshimeve, të parat që i u bëhen ligjeve të reformës në drejtësi. Miratimi i tyre kërkon 84 vota në Kuvend. /ABC News Albania 24/7