Balla: Nuk negociojmë reformën në drejtësi

schedule15:10 - 14 Korrik, 2019

schedule 15:10 - 14 Korrik, 2019

Socialistët shprehin gatishmërinë për dialog me opozitën, por përjashtojnë çdo negociatë për reformën në drejtësi. Taulant Balla tha nga Belshi se zgjedhjet lokale mbaruan dhe se zgjedhjet e tjera do të jenë në vitin 2021.

Pak përpara se të nisin pushimet verore, socialistët i kujtojnë opozitës se janë të hapur për bisedime, por jo në kurriz të zbatimit të reformës në drejtësi. Nga Belshi, Taulant Balla tregoi ofertën e mazhorancës.

“Ne jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë dhe të diskutojmë me Partinë Demokratike rrugore, por pikë së pari me ata që kemi në Kuvend, pikërisht për sfidat e rëndësishme të vendit, por këtu nuk përfshihet asnjë lloj negociate për Reformën në Drejtësi”.

Atyre që mendojnë se zgjedhjet lokale mund të përsëriten, apo se parlamentit mund t’i ndërpritet mandati për zgjedhje të parakohshme, Balla ju jep këtë përgjigje.

“Beteja jonë e radhës janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, zgjedhje të tjera nuk ka më. Ata që dalin çdo natë në TV, nga presidenti që tashmë është një nga drejtuesit e opozitës në Shqipëri, apo kushdo tjetër duhet ta dinë që zgjedhjet vendore u përmbyllën në 30 Qershor. Ishte një ditë e rëndësishme ku fitoi Shqipëria e institucioneve, Shqipëria e zbatimit rigoroz të Kushtetutës, fitoi Shqipëria e angazhimit europian, përkundër Shqipërisë së dhunës dhe të molotovëve”.

Në të njëjtën logjikë, PS thotë se nuk do të heqë dorë nga shkarkimi i Presidentit.

“Meta ka bërë një akt të rëndë i cili duhet hetuar dhe më pas nëse komisioni do të konkludojë që shkelja është e rëndë, sipas nenit 90 të Kushtetutës, do të shkarkohet dhe procesi do të çertifikohet nga Gjykata e re Kushtetutese që në Shtator do të jetë gati për të ushtruar këtë detyrë të rëndësishme.”

Parlamenti do t’i mbyllë punimet në 18 Korrik dhe shkarkimi i Metës do të jetë sesionin tjetër që hapet në Shtator./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!