Parlamenti i Sllovakisë ka amendamentuar Kushtetutën e shtetit për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Nëntëdhjetë e dy ligjvënës mbështetën amendamentin që mundëson mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, nëse për një vendim të tillë votojnë shumica e Këshillit Kombëtar të Sllovakisë prej 150 ulësesh. Kushtetuta e Sllovakisë më herët nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Pasi Qeveria e udhëhequr nga kryeministri sllovak Eduard Heger, nuk i mbijetoi mocionit të mosbesimit në Parlament në dhjetorin e kaluar, presidentja Zuzana Caputova u dha afat ligjvënësve që deri në janar të bënin ndryshimet kushtetuese.
Partitë opozitare iniciuan mocionin e mosbesimit pas disa muajsh krizë politike. Caputova i kërkoi kabinetit të Heger që të qëndronte në pushtet si Qeveri në detyrë.
Presidentja sllovake tha se ajo do të zgjedhë një kryeministër të ri dhe do të betohet Qeveria e re, nëse ligjvënësit nuk i bëjnë ndryshimet kushtetuese deri më 31 janar.
Këshilli Kombëtar ka caktuar seancë për të enjten për të debatuar lidhur me datën e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Partitë që aktualisht janë pjesë e koalicionit qeverisës thanë se preferojnë që zgjedhjet të mbahen më 30 shtator, ndërkaq opozita kërkon që zgjedhjet të mbahen më herët, në maj ose qershor.
Sipas sondazheve të fundit, opozita ka shanse të mira që të fitojë në zgjedhjet e parakohshme.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Sllovaki ishin të parapara të mbaheshin në shkurt të vitit 2024.
/REL