Autoritetet amerikane kanë akuzuar zyrtarisht 27-vjeçarin Akajed Ullah për terrorizëm dhe posedim armësh pa autorizim. I riu me origjinë nga Bangladeshi zhvilloi një sulm terrorist në Manhatan gjatë së hënës ku mbetën të plagosur 4 persona. Mediat amerikane bëjnë me dije se Ullah ndiqte propagandën e ISIS në internet.
Akajed Ullah është akuzuar zyrtarisht për atentatin e së hënës të zhvilluar në stacionin qëndror të autobusëve në Manhatan të Shteteve të Bashkuara ku mbetën të plagosur edhe 3 persona të tjerë përveç tij. Kundër emigrantit nga Bangladeshi janë ngritur akuza për tërrorizëm dhe posedim të paligjshëm të armëve. Lajmi është konfirmuar nga policia e Nju Jorkut. 27-vjeçari kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara 7 vite më parë. Ullah gjendet në spital për shkak të plagëve që mori pas shpërthimit të bombës artizanale, të cilën ai vetë e kishte prodhuar në mënyrë amatore.
Nga informacionet që publikohen në mediat amerikane, theksohet se autori i sulmit terrorist shkonte në internet sajte që kishin përmbajtje propaganda të ISIS. Megjithatë ai nuk ishte në radarin e policisë ose FBI përpara se të ndërmerrte atentatin e së hënës. Këtë e konfirmoi Xhon Miller, zëvendës-komisar për kundërterrorizmin dhe inteligjencën në Nju Jork.
Ndërkohë, policia në Bangladesh ka marrë në pyetje bashkëshorten e Ullah. Lajmi është konfirmuar nga dy funksionarë lokalë, të cilët nuk kanë bërë të ditur ndonjë detaj, përveçse theksuan se çifti kishte një fëmijë 6-muajsh. Sipas asaj që raportohet nga kreu i policisë së Bangladeshit, autori i sulmit ka një rekord të pastër kriminal në vendin e tij, të cilin e kishte vizituar për herë të fundit me 8 shtator./abcnews.al