Ka nisur pak minuta më parë seanca e parë parlamentare për vitin 2023.
Në rendin e ditës do të jenë çështje proceduriale, si hapja e punimeve të sesionit të katërt të ligjislaturës së dhjetë, miratimin e procesverbalit të seancës plenare të datës 21.12.2022, e po ashtu disa njoftime.
Në fjalën hapëse kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka bër një bilanc të sesionit të kaluar dhe ndau disa prioritete të sesionit të ri.
Fjala e plotë e Nikollës:
Fjala në fillim të sesionit parlamentar
16 janar 2023
Të nderuara kolege e kolegë deputetë,
Sot fillojmë sesionin e ri parlamentar. Me këtë rast, po bëj një bilanc të shkurtër të sesionit të kaluar dhe po ndaj me ju disa prioritete të sesionit të ri.
I.
Gjatë këtij sesioni zhvilluam 16 seanca plenare dhe 5 interpelanca.
Miratuam 36 ligje, nga të cilat 35 nisma të Këshillit të Ministrave dhe 1 e deputetëve. Sipas tipologjisë së akteve ligjore, miratuam 16 ligje bazë, 7 akte normative dhe 13 marrëveshje. Miratuam gjithashtu 30 vendime të Kuvendit.
Me konsensus u miratuan 11.
Me shumicë të thjeshtë miratuam 24, me shumicë absolute 12 ligje.
Komisionet parlamentare zhvilluan veprimtarinë e tyre në transparencë të plotë.
Shqyrtuan 67 projekt-akte, ndër të cilat 19 projektligje te reja, 20 me ndryshime e shtesa, 28 projekt marreveshje.
Gjatë shqyrtimit të projekt-akteve komisionet miratuan 150 amendamente.
Zhvilluan 85 mbledhje, të ndara në 36 komisione përgjegjës dhe 49 për dhënie mendimi.
Komisionet zhvilluan 48 seanca dëgjimore, ndër të cilat 41 për proçesin legjislativ, 6 për kontrollin parlamentar dhe 1 në funksionin zgjedhës.
Në platformën e konsultimit on-line me organizata të shoqërisë civile u konsultuan 9 projektligje.
Thirrjes për pjesëmarrje në seanca dëgjimore për shqyrtimin e projektligjeve iu përgjigjën 478 përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile.
Komisionet vijuan praktikën pozitive të veprimtarive parlamentare monitoruese jashtë ambienteve te Kuvendit, duke zhvilluar 9 mbledhje të tilla.
II.
Funksioni legjislativ u realizua si një proces transparent e gjithëpërfshirës, nëpërmjet zgjerimit e rritjes së cilësisë së pjesëmarrjes së publikut, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.
Veprimtaria ligjvënëse e Kuvendit u bazua në përparësitë e Planit të Veprimit dhe në planin e masave për zbatimin e rekomandimeve të raporteve të progresit të Komisionit Europian.
Me fillimin e funksionimit të Institutit Parlamentar, veprimtaria legjislative ka filuar të realizohet si një proces i mbështetur e paraprirë nga kërkimi dhe analiza. Gjatë këtij sesioni, Instituti Parlamentar prodhoi dhe shpërndau 39 produkte kërkimore, 19 me kërkesë dhe 20 proaktive.
III.
Integrimi evropian ishte dhe mbetet prioriteti kryesor i veprimtarisë parlamentare. Pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2022, filluam punën për hartimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të këtij Raporti.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian vijoi takimet periodike e ndërgjegjësuese mbi zbatimin e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit. Gjatë këtij sesioni u zhvilluan 5 takime, nga të cilat 1 periodik për prezantimin dhe diskutimin e Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2022 dhe ndryshimeve të ligjit 15/2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian” dhe 4 ndërgjegjësues, të organizuar me shoqërinë civile dhe shkollat e mesme të Tiranës.
Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian organizuan në muajin tetor edicionin e 7 të Shkollës së Integrimit Evropian, me pjesëmarrës nga shoqëria civile, sektori privat, universitetet, institucionet qëndrore, institucionet e varësisë dhe të ato të pavarura, media, bashkitë, partitë politike dhe sindikatat.
Gjatë këtij sesioni u ngrit dhe filloi nga puna Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr 15, datë 5.03.2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.”
IV.
Gjatë këtij sesioni rritëm transparencën e veprimtarive parlamentare, informimin e publikut, ndërveprimin me qytetarët dhe përmirësuam perceptimin publik për një parlament më pranë dhe në kontakt me qytetarin. Me fillimin e funksionimit të faqes se re të Kuvendit, është krijuar edhe hapësira Përfshihu!
Hartuam dhe konsultuam Strategjinë e Komunikimit 2022-2025 dhe Planin e Veprimit si edhe Strategjinë e Teknologjisë së Informacionit, dokumente që do të paraqitet për miratim në Byro gjatë këtij sesioni parlamentar.
Finalizuam Standartet e Transparencës në bashkëpunim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.
Me qëllim perfeksionimin e raportimit parlamentar dhe mirëinformimit të publikut, në bashkëpunim me Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, të Austrisë dhe të Sllovenisë, u përmbyll cikli i aktiviteteve me gazetarë të akredituar në Kuvend.
Rritëm bashkëpunimin me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, grupe interesi e individë, në lidhje me të drejtën e njohjes me informacionin publik.
Kuvendi fuqizoi kontributin e vet si edukator publik, politik, qytetar dhe kombëtar. Me nismën e Institutit Parlamentar u organizuan 10 aktivitete tematike, 14 vizita studimore me nxënës, student, studjues, qytetarë (të huaj e shqiptar) në Sallën Plenare dhe Kryesinë e Kuvendit dhe tre takime me shoqërinë civile, në të cilat morën pjesë mbi 1500 qytetarë, shumica të rinj, nxënës shkollash e studentë.
Rritëm aksesueshmërinë e Programit të Transparencës dhe popullimin me të dhëna e dokumenta që duhet të jenë publik, sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit.
Gjatë këtij sesioni u trajtuan 245 letra të qytetarëve, 30 kërkesa për informacion dhe 10 peticione.
U zbardhën dhe u redaktuan në kohë e me cilësi 15 seanca plenare, me një total prej 7.960 minuta dhe 104 mbledhje komisionesh, me një total prej 9.087 minuta.
V.
Kuvendi ushtroi përgjegjësitë kushtetuese për funksionin zgjedhës e monitorues. Prioriteti ynë ka qenë plotësimi brenda afateve ligjore i vakancave të reja që krijohen, sidomos në organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
VI.
Kolege e kolegë të nderuar,
Ky sesion parlamentar kërkon një dinamikë të re dhe ritme më të larta në përballimin nga Kuvendi të detyrave të monitorimit të negociatave dhe përmbushjes së detyrimeve në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për hartimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin nr 15, datë 5.03.2015 “Për rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, duhet të përshpejtojë punën për të dorëzuar projektin e ndryshimeve ligjore brenda afatit të përcaktuar, datën 8 Shkurt 2023.
Kemi filluar gjithashtu nga puna për forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit për kontrollin e përputhshmërisë së projektligjeve me standartet BE-së, nëpërmjet monitorimit efektiv të përputhshmërisë së projektligjeve me këto standarte, për të garantuar cilësi të lartë të legjislacionit të përafruar.
Reforma zgjedhore do të jetë gjithashtu një prioritet i këtij sesioni. I rekomandoj Komisionit të Reformës Zgjedhore të përshpejtojë ritmet për përgatitjen në kohë të paketës së ndryshimeve, duke pasur si referencë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votimin nga Diaspora.
Kuvendi do të vijojë të mbështesë avancimin e reformës në drejtësi dhe plotësimin me burimet e nevojshme të organeve të qeverisjes së sistemit.
Veprimtarisë ligjbërëse do t’i shërbejë edhe miratimi i Udhëzuesit “Për procedurat legjislative”, një dokument i brendshëm i Kuvendit në ndihmë deputetëve, për rritjen e cilësisë së kontributit të tyre në procesin legjislativ.
Tërheq vëmendjen e komisioneve parlamentare për të shqyrtuar 43 nisma ligjore që vijnë nga deputetë.
Duhet gjithashtu që në procesin ligjbërës të reflektojmë më mirë aspektet gjinore dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, kërkesë që po shtrohet nga veprimtaria e deritanishme parlamentare.
Rritjes së transparencës do t’i shërbejë edhe fillimi, gjatë këtij sesioni, i praktikës së re të hartimit e paraqitjes nga komisionet e përhershme parlamentare të raporteve të veprimtarisë së tyre vjetore në një seancë plenare të dedikuar.
Transparenca institucionale do të plotësohet nga transparenca e veprimtarisë së çdo deputeti. Praktikën e mirë që po krijojmë me “Javën e Gjelbër” le ta shfrytëzojmë jo vetëm për të dëgjuar, por edhe për t’i informuar më shumë qytetarët.
Kjo do të na ndihmojë të shkojmë përtej të përditshmes dhe të krijojmë më shumë mundësi për tërheqjen e kontributit të zgjedhësve në veprimtarinë parlamentare.
Një prioritet i këtij sesioni do të jenë raportimet vjetore të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj si edhe përfundimi i rishikimit të Mekanizmit Ndërinstitucional “Qeveri-Kuvend-Institucione të Pavarura”, për të verifikuar shkallën e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura prej Qeverisë dhe agjencive shtetërore.
Të nderuar kolege e kolegë,
Dua të risjell në vëmëndjen tuaj apelin për seriozitetin dhe sjelljen korrekte parlamentare.
Liria e fjalës është e do të mbetet thelbi i demokracisë. Që kjo liri të mos cënohet kurrë, fjala duhet të udhëtojë gjithmonë krah përgjegjësisë, akuza krah faktit.
Kultura jo etike dhe jo qytetare e debatit është një shembull i keq për shoqërinë, si e tillë e papranueshme dhe e dëmshme.
Ju faleminderit!
Punë të mbarë
3 pikat e rendit:
-
- Hapja e punimeve të sesionit të IV të legjislaturës së X.
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 21.12.2022.
- Njoftime r.t/abcnews.al