Gjermania iu është bashkuar thirrjeve që lideri opozitar rus, Alexei Navalny të marrë trajtim të duhur shëndetësor, pas shqetësimeve në rritje për shëndetin e tij. Ky reagim vjen pasi rreth 500 mjekë rusë kanë nënshkruar një letër të hapur për presidentin rus, Vladimir Putin, duke u kërkuar autoriteteve të burgut që të ndalin “abuzimin” ndaj Navalnyt.
Ndërkohë edhe bashkëshortja e tij ka bërë thirrje për ndihmë. Në një mesazh në Instagram, Yulia Navalnaya tha se gjendja e bashkëshortit të saj sa vinte e po përkeqësohej.
“Imagjinoni sikur jeni mbyllur në një kafaz me përmasa 2 me 3 metra,” shkroi zonja Navalnaya.
“Që të zgjojnë në orën 6 të mëngjesit dhe të mos kesh mundësi të pushosh gjatë gjithë ditës, edhe pse ke temperaturë të lartë.”
Navalny është në burg prej dy vitesh. Ai është arrestuar në janar të vitit 2021, pak pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar për sulmin që i ka ndodhur me agjent nervor në Siberi.
Navalny, 46-vjeçar konsiderohet ndër figurat kyçe kundër Putinit. Ai është dënuar fillimisht me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht, dhe më pas i janë shtuar edhe nëntë vjet më shumë, me arsyetimin e mashtrimeve.
Vetë Navalny i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.
/abcnews.al