Partizani e ka nisur me këmbën e gabuar vitin 2023, teksa në stadiumin “Partizani”, “demat e kuq” janë mundur me rezultatin 1 me 2 nga Vllaznia e Mirel Josës.
Që në fillim u duk haptazi epërsia shkodrane ku Kaina e Hoxhaj, nuk lanë të qetë në asnjë moment portën e Rexhepit, duke i vënë “të kuqtë” shumë herë në vështirësi, por pa mundur dot të gjenin golin e avantazhit dhe pjesa e parë mdyllet me rezultatin e bardhë 0 me 0.
Nisja e pjesës së dytë tregoi një fytyrë tjetër të Partizanit, me djemtë e Kolelës, të cilët u hodhën në sulm duke u mundur të kapnin të papërgatitur mbrojtjen shkodrane dhe ia dolën, teksa në minutën e 63’, pas një harkimi nga e djathta, Maget Gueye kërcen më lart se të tjerët dhe godet topin me kokë e duke i dhënë kështu avantazhin “demave të kuq”.
Menjëherë Vllaznia do të kërkonte golin e barazpeshës, i cili do të vinte vetëm në minutën e 77’, ku pas një aksioni të bukur ekipor të “kuqebluve”, Jonuzi do të “shtangte” portierin Rexhepi me një goditje fantastike nga jashtë zone dhe jo vetëm kaq pasi në minutën e 90’, Çoba rrëmben topin në zonën kundërshtare dhe pas një aksioni në të majtën shënon dhe përmbush përmbysjen e madhe të rezultatit përballë Partizanit.
Me këtë fitore Vllaznia arrin në kuotën e 25 pikëve dhe ndodhet në vendin e 3-të, në kampionat, ndërsa “demat e kuq”, mbesin sërish në vendin e parë me 29 pikë, vetëm 1 më shumë se Tirana e vendit të 2-të, me 28 pikë. /i.m /abcnews.al
Partizani – Vllaznia 1-2, Çoba 90′
Partizani – Vllaznia 1-0, Gueye 63′