Pas Trump, një tjetër pasanik kërkon “frenat” e Shtëpisë së Bardhë

schedule23:55 - 9 Korrik, 2019

schedule 23:55 - 9 Korrik, 2019

Kandidimi për president duket se është kthyer në tendencë për miliarderët amerikanë. Pas Donald Trump, Tom Stejer është një tjetër pasanik që do të përpiqet të marrë në dorë frenat e Shtëpisë së Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Miliarderi amerikan Tom Stejer ka njoftuar se do të nisë së shpejti fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, duke iu shtuar grupit të demokratëve që do të kërkojnë të rrëzojnë nga froni i kreut të shtetit Donald Trump.

I njohur si ambjentalist dhe avokat i lëvizjes për inkriminimin e presidentit Trump, Stejer ka dhuruar miliona dollarë për kauzat liberale. Në video-mesazhin e tij, ai propozon zhvendosjen e pushtetit në duart e popullit dhe fajëson korporatat e mëdha për shumicën e problemeve që hasin sot Shtetet e Bashkuara.

“Amerikanët janë shumë të zhgënjyer dhe të lënduar për mënyrën se si po trajtohen nga ata që supozohet të jenë elita në Uashington”, ka deklaruar 62-vjeçari.

“Prapa çdo problemi madhor ju shihni interesa të mëdha financiare, gjë që ndal progresin, pengon drejtësinë dhe zhvillimin”, ka vijuar ai.

Në fjalimin e tij Stejer ka cituar edhe ndryshimet e klimës dhe krizën e derivateve të opiumit si shembuj se si korporatat ndikojnë negativisht tek e ardhmja e vendit.

Revista e njohur “Forbs” e vlerëson pasurinë e Stejer 1.6 miliardë dollarë. Një zëdhënës i tij ka deklaruar se ai ka ndërmend të shpenzojë 100 milionë dollarë për fushatën elektorale, duke lënë pas kështu kandidatët e tjerë demokratë mes të cilëve kryeson Xho Bajden me 21.5 milionë dollarë të mbledhura deri tani./ABC News Albania 24/7