Ka reaguar presidenti Meta, por pa iu referuar votimit në kuvend të komisionit hetimor për shkarkimin e tij. Në një mesazh në rrjetet sociale ka ironizuar kryeministrin përmes një mesazhi drejtuar mbështetësve të opozitës të thirrur në protestën e 10-të kombëtare para kryeministrisë.
Meta nënvizon se kjo protestë është kundër votimeve socialiste të 30 qershorit, e shkruan se përshëndet mbi 85% të qytetarëve, të cilët bojkotuan një proces fals, pas tre dekadash kur Shqipëria u nda nga diktatura.
Meta ironizon kryeministrin dhe përshëndet edhe udhëheqjen e opozitës, që sipas tij ka meritë në distancimin e çdo akti dhune dy javët e fundit, e që ndihmoi shumicën dërmuese të shoqërisë për të identifikuar armikun e betuar të dialogut në këto 6 vite, i cili shkruan Meta, ka mbijetuar vetëm përmes diversionit, përçarjes së opozitës, blerjes së zgjedhjeve përmes aktivizimit të “çunave problematikë” dhe lobingjeve të shfrenuara për t’i mbyllur sytë gjithë botës, për të mos parë një maskaradë të gjithanshme, që kulmoi me të Dielën e Fitoreve, plot tejkalime të shfrenuara.
“Ndaj ju ftoj të vazhdoni të protestoni vetëm paqësisht, shkruan presidenti, për ta bërë kauzën tuaj edhe kauzën e shumicës së atyre që u detyruan të merrnin pjesë në farsën e 30 qershorit. Nga ky test shumë i rëndë ku u provokua demokracia jonë dhe bashkëjetesa qytetare, kjo kauzë i ka të gjitha mundësitë për të dalë shumë më e forte, vetëm përmes rezistencës qytetare dhe paqësore.”
Mesazhi i Metës mbyllet me një shigjetim për KQZ, të cilën e quan organizatë socialiste që po përpiqet të përputhë rezultatet, me tejkalimet e shfrenuara të 30 qershorit./abcnews.al