Jurgen Klop alarmon Liverpulin

schedule19:15 - 7 Korrik, 2019

schedule 19:15 - 7 Korrik, 2019

Jurgen Klop ka kërkuar kohë për t’u menduar, nëse do të rinovojë ose jo kontratën me Liverpulin. Kjo ka sjellë alarm te kampionët e Europës

Emocionet kanë qenë të forta, madje pak si shumë.

Jurgen Klop fitoi titullin kampion të Europës me Liverpulin, trofeun e tij të parë në “Anfild”, por e gjitha kjo pati koston e vet, dhe kjo mund të ndihet në të ardhmen.

Trajneri gjerman është një idhull për tifozët, po ashtu si për lojtarët e tij, dhe klubi dëshiron t’i ofrojë rinovimin e kontratës, me një rritje page deri në 12 milionë euro në sezon.

Lajmet nga Anglia janë që Klopi ka kërkuar kohë që të mendohet, dhe kjo ka shkaktuar jo pak alarm.

Mos vallë kjo do të thotë se tekniku 52-vjeçar po mendon që të largohet?

Një gjë e tillë mund të kthehej në katastrofë për Liverpulin, skuadrën që po gjen stabilitet pas shumë vitesh në kaos, që fitoi Championsin e parë pas 14 vjetësh, dhe që synon titullin e parë në Angli në 30 vjet.

Me Klopin në stol, Premier Liga duket krejtësisht e mundshme, pavarësisht konkurrencës me Mançester Sitin, por pa të, si i bëhet?

Gjithsesi, gjermani ka kontratë në “Anfild” deri në vitin 2022, pra edhe tre sezone të tjera, dhe ai është nga ata që i respekton marrëveshjet.

Problemi më i madh duket se është lodhja dhe stresi, ndaj edhe Klopi nuk dëshiron të japë fjalën që tani, kur ka ende 36 muaj kohë.

Kaloi 7 vite tek Dortmundi duke fituar dy tituj në Gjermani e duke arritur finalen e Championsit, pasi drejtoi Maincin nga 2001-shi deri në 2008-ën.

Në Gjermani, ekziston shpresa që trajneri të kthehet në Bundesligë, pse jo tek Bajerni, apo të zëvëndësojë Joakim Lëvin në stolin e kombëtares.

Agjenti i tij, Mark Kosicke, ka deklaruar se kjo alternativë nuk përjashtohet, veçse theksoi se Klopit i pëlqen të vazhdojë të punojë në Liverpul.

Jo më kot, ai ia ka rritur vlerën klubit nga 900 milionë paund stërlina, në 2.8 miliardë paundë./ABC News Albania 24/7