Kapitenia e anijes me emigrantë padit Matteo Salvinin

schedule23:15 - 5 Korrik, 2019

schedule 23:15 - 5 Korrik, 2019

Kapitenia e anijes me emigrantë që ankoroi pa leje në portin e Lampeduzës ka paditur zëvendës kryeministrin e Italisë, Mateo Salvini. Karola Rakete e akuzon për shpifje numrin 2 të qeverisë italiane, që nga ana e tij tha se nuk e tremb mafia e jo më një vajzë e llastuar gjermane.

Kapitenia gjermane e anijes me emigrantë do të padisë ministrin e Brendshëm italian, Matteo Salvini për shpifje. Lajmin e kanë bërë të ditur ditën e premte avokatët e saj, duke intensifikuar betejën mes punonjëses së bamirësisë dhe liderit të së djathtës ekstreme. Karola Rakete, 31 vjeç, u lirua nga arresti i shtëpisë ditën e martë, pasi një gjyqtare hodhi poshtë akuzat se ajo kishte vënë në rrezik jetët e disa policëve italianë dhe se kishte shkelur urdhërin për të mos ankoruar në portin e Lampeduzës.

Ministri Salvini, njëkohësisht zëvendës kryeministër i Italisë, e ka quajtur kapitenen një “pirate” dhe “shkelëse të ligjit” dhe ka premtuar se do ta dëbojë nga Italia. Por avokati i Rakete, Alesandro Gamberini ka deklaruar se ndaj numrit dy të qeverisë është depozituar tashmë një padi.

Rakete, e cila drejtonte anijen me emigrantë “Sea Watch 3”, është sulmuar ndërkohë në internet dhe rrjete sociale me kërcënime me vdekje dhe përdhunim dhe aktualisht mbahet në një lokalitet të fshehtë. “Padia për shpifje synon të japë një sinjal. Kur njerëzit preken tek kuleta e tyre, atëherë e kuptojnë se nuk mund të shajnë e ofendojnë njerëzit falas”, ka thënë avokati Gamberini lidhur me çështjen.

Nga ana e tij, Salvini ka deklaruar se nuk i trembet padisë. “Ajo shkel ligjet, sulmon policinë italiane dhe më pas më padit mua. Por mua nuk më tremb as mafia e jo më një vajzë e pasur dhe e llastuar gjermane”, ka thënë Salvini./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!