Ukraina pritet të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB), dhjetë muaj që nga nisja e ofensivës ruse në Ukrainë, ndërkohë që lideri i Rusisë, Vladimir Putin, po e akuzon perëndimin se po tenton ta copëtojë vendin e tij.
Të dielën, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha se Kievi zyrtar do të kërkojë që Rusisë t’i hiqet statusi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Nesër ne do ta shprehim zyrtarisht qëndrimin tonë. Ne e kemi një pyetje shumë të thjeshtë: A ka Rusia të drejtë të jetë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe thjesht të jetë në Kombet e Bashkuara?”, tha Kuleba.
Të dielën, presidenti rus, Putin, tha se ofensiva e tij në Ukrainë ka për qëllim ta “bashkojë popullin rus”, ndërsa i akuzoi kundërshtarët gjeopolitikë se synojnë ta shkatërrojnë “Rusinë historike”.
/abcnews.al