Legjenda italiane Gianluca Vialli pranë blerjes së Sampdorias

schedule17:30 - 4 Korrik, 2019

schedule 17:30 - 4 Korrik, 2019

Një legjendë e futbollit italian do të kthehet në sport në rolin e pronarit. Xhanluka Viali është në bisedime për të blerë klubin ku u bë i shquar, Sampdorian.

E mbani mend Xhanluka Vialin?

Sulmuesi “i racës”, sot në moshën 54-vjeçare, do të kthehet tek dashuria e tij e madhe, Sampdoria, veçse në rolin e pronarit.

Lajmet nga Italia janë që grupi financiar i Vialit, i përfaqësuar nga specialistët Xhemi Dinën dhe Aleks Naster (Knaster) kanë arritur një akord me presidentin e tanishëm Sampdorian, Masimo Ferreron.

Ky i fundit, për momentin, përgënjeshtron, por lajmi në “La Gazeta delo Sport” shoqërohet me hollësi, sipas të cilave vlera e operacionit financiar do të arrijë në 100 milionë euro, dhe do të përfshijë edhe borxhet.

Viali ishte një legjendë e Sampdorias, një dashuri për tifozët, në vitet 1984-1992, kur arriti të fitonte titullin e parë dhe të vetëm kampion në 1991, në krah të yjeve të tjerë si Roberto Mançini, Xhanluka Paliuka, Toninjo Serezo, Pieto Vierkovud apo Atilio Lombardo, nën drejtimin e trajnerit të famshm Vujadin Boshkov dhe të presidentit të ndjerë Paolo Mantovani.

Viali me shokë fituan Kupën e Kupave në 1990 dhe arritën finalen e Championsit, që e humbën në “Uembli” ndaj Barcelonës së Johan Krujfit.

Në Itali, ai luajti me Kremonezen, Sampdorian dhe Juventusin, duke fituar shumë trofe, ndërsa e vazhdoi karrierën në Angli tek Çelsi, duke u bërë më pas trajner te blutë e Londrës Uatfordi apo Kuins Park Rejnxhërsi.

Si djali i një miliarderi, Xhanluka Viali e ka më të lehtë të investojë paratë, dhe këtë po e bën tek dashuria e tij e vërtetë, tek futbolli dhe Sampdoria./ABC News Albania 24/7