Partizani merr sulmuesin Ekuban nga Verona

schedule22:15 - 4 Korrik, 2019

schedule 22:15 - 4 Korrik, 2019

Partizani merr huazim nga Verona sulmuesin e ri, Jozef Ekuban. Kryeqytetasit, gjithashtu, rinovojnë kontratën me mbrojtësin Egzon Belica.

Një mbiemër i tillë ngjall kujtime të shkëlqyera. Tifozët e Partizanit nuk e kanë harruar ish-sulmuesin e tyre, Kaleb Ekuban, golashënuesin që u bë tmerri i mbrojtjeve të Superligës në sezonin 2016-2017, ndërsa tani një lojtar tjetër me këtë mbiemër është afruar në skuadër.

Bëhet fjalë për vëllain e Kalebit, Jozef Ekubanin, që u prezantua nga kryeqytetasit si përforcimi i radhës. Jozef Ekuban është 19 vjeç dhe vjen huazim nga Hellas Verona në Itali.

Ai do të mbajë fanellën me numrin 66 dhe shpresohet që të jetë qendërsulmuesi i duhur për kampionët e Shqipërisë. Partizani njofton ndërkaq se ka rinovuar kontratën me mbrojtësin Egzon Belica.

Shqiptari nga Struga e Maqedonisë së Veriut firmosi deri në vitin 2021, duke u shpërblyer për paraqitjet e tij mjaft të mira. Mbrojtësi i qendrës erdhi në janar 2018, dhe ky është rinovimi i dytë për të tek Partizani.

Klubi informon tifozët edhe për çmimin e biletave, për ndeshjen e Championsit ndaj Karabakut në 10 korrik, në “Selman Stërmasi”. Biletat në tribunat popullore do të jenë 300 lekë të rinj, ndërsa në tribunat kryesore, 1 000 lekë.

Skuadra tashmë ka përfunduar përgatitjet në Slloveni, ku luajti edhe tri miqësore, duke humbur thellë me Sarajevën e Bosnjë-Hercegovinës, humbur 1-2 ndaj Murës së Sllovenisë, dhe fituar 1-0 ndaj polakëve të Krakovias.

Trajneri italian, Franko Lerda ka marrë edhe përforcime të tjera si brazilianin Melo nga Kukësi, Hakajn nga Teuta dhe mesfushorin e Shkupit, Rron Brojën./ABC News Albania 24/7